Site icon Telegrafi

Një turist i vdekur dhe dy të tjerë të zhdukur nga shembja e akullnajës në Islandë

Të paktën një person ka vdekur dhe dy të tjerë janë ende të zhdukur pasi një shpellë akulli u shemb pjesërisht ndërsa një grup turistësh po vizitonin akullnajën Breidamerkurjokull në Islandën jugore.

Në një deklaratë të postuar në mediat sociale, policia lokale thotë se reaguesit e parë morën një telefonatë pak para orës 15:00 me orën lokale të dielën, ndërsa një grup prej rreth 25 turistësh të huaj nga disa kombësi po eksploronin shpellat e akullit kur katër persona u goditën nga akulli, përcjell Telegrafi.

Dy persona mbetën të plagosur rëndë: njëri ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa tjetri u dërgua me helikopter në spitalin e kryeqytetit dhe raportohet se është në gjendje stabile.

Një numër i madh shpëtimtarësh punuan gjatë pasdites dhe deri në mbrëmje, në kërkim të dy personave të zhdukur. Operacioni u ndërpre pas errësirës për shkak të kushteve të rrezikshme, por policia tha se do të rifillonte në mëngjes.

Faqja lokale e lajmeve Visir tha se grupi ishte në një turne të organizuar në shpellën e akullit dhe ishte i shoqëruar nga një udhërrëfyes, por shumica e njerëzve ishin jashtë shpellës kur ajo u shemb.

Shpella e akullit është një destinacion popullor për turistët.

“Kolapsi” nuk ka të ngjarë të ketë lidhje me një shpërthim vullkanik në Islandën juglindore të premten, rreth 300 kilometra larg nga akullnaja. /Telegrafi/

Exit mobile version