Telegrafi

Një tren që transportonte materiale të rrezikshme ra në lumë pas shembjes së një ure në Montana, SHBA

Një tren mallrash që transportonte materiale të rrezikshme ka rënë në një lumë në SHBA pas shembjes së një ure.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, vagonët që transportonin asfalt dhe squfur – i cili përdoret në plehra dhe insekticide – ranë në lumin Yellowstone të Montanas, duke bërë që një lëng i verdhë të derdhej në ujë.

Shkaku i shembjes nuk dihet dhe burimet e ujit të pijshëm në rrjedhën e poshtme janë mbyllur ndërkohë që po kryhen hetimet.

Andy Garland, një zëdhënës i Montana Rail Link, tha se ekuipazhi i trenit ishte i sigurt dhe i palënduar në incident.

Shiu i dendur i kohëve të fundit ka shkaktuar fryrjen e lumit, por nuk është e qartë nëse kjo shkaktoi shembjen e urës.

Vitin e kaluar, lumi përjetoi përmbytje rekord, të cilat shkaktuan dëme të gjera në parkun kombëtar dhe qytetet e tij ngjitur. /Telegrafi/