Policia italiane sekuestroi 800 kg kanabis në një operacion ku u arrestuan edhe dy shtetas shqiptarë. Guarda di Finanza ka ndërhyrë në momentin kur trafikantët shqiptarë dhe një shtetas italian po shkëmbenin mallin në një magazinë në zonën e Puljas.
Sasia e drogës ishte e presuar dhe e ndarë në disa pako ndërsa sipas policisë italiane nga shitja në treg ajo do të sillte 4 milion euro përfitime për trafikantët. Agjentët e Guardia di Finanza sekuestruan edhe një armë zjarri pistoletë, 32 mijë euro cash si dhe 4 automjete mes tyre edhe 2 furgonë që dyshohet se janë përdorur për transportimin e drogës.
Guardia di Finanza nuk ka bërë me dije identitetin e shtetasve shqiptarë të arrestuar si dhe atij italian, ndërsa po vijojnë hetimet për persona të tjerë të implikuar në këtë grup.
Dyshohet se lënda narkotike të jetë trafikuar nga Shqipëria ndërsa hetimet do të zbulojnë linjën e trasportimit të saj në rrugë tokësore ose përmes Adriatikut me mjete lundruese. /Tch/Telegrafi/