Një operacion i përbashkët nga autoritetet spanjolle dhe shërbimi gjerman i hetimeve doganore, ka sjellë arrestimin e 18 personave dhe procedimin e penal të 9 të tjerëve, mes të cilëve raportohet se ka edhe shqiptarë.
Operacioni “Carambolas” i mbështetur nga Europol, shkatërroi një grup kriminal të organizuar të përfshirë në trafikun e drogës dhe aktivitete të tjera të paligjshme në të gjithë Bashkimin Evropian.
Mësohet se një ton marihuanë, 212.000 euro, armë zjarri, municione dhe tetë automjete u konfiskuan nga ky operacion.
Anëtarët e organizatës kriminale u arrestuan dhe u morën në pyetje nga policia dhe sipas Europol ata janë shtetas të 8 vendeve të ndryshme: Kroacia, Gjermania, Spanja, Shqipëria, Armenia, Serbia, Siria dhe Turqia.
Grupi kriminal trafikonte marihuanë nga Spanja drejt vendeve të tjera të BE-së, veçanërisht në Gjermani, nëpërmjet një rrjeti të themeluar në Malaga dhe Granada të Spanjës.
Sipas Europol rrjeti kriminal ishte i strukturuar në mënyrë të tillë që edhe nëse një prej “qelizave” do të zbulohej nga policia, furnizimi me lëndën narkotike mund të garantohej ende.
Hetimi për këtë organizatë kriminale ka filluar qershorin e kaluar, pasi një gjerman, anëtar i këtij rrjeti, u pikas nga autoritetet teksa blinte një sasi të madhe marihuane në jug të Spanjës.
Faza e parë e operacionit u përqendrua në çmontimin e dy fabrikave të marijuanës të zbuluara në jug të Spanjës, ku u konfiskuan gati 100 kilogram marihuanë dhe 172.000 euro.
Raportohet se gjatë operacionit për arrestimin e të dyshuarve ka pasur edhe shkëmbi zjarri ku kanë mbetur të plagosur dy efektivë të policisë spanjolle. /kp/Telegrafi/