Futbollisti i Al-Nassr dhe i kombëtares kroate, Marcelo Brozovic vendosi t’i japë fund karrierës së tij në kombëtare dhe gjithçka ka bërë të ditur përmes një letre në të cilën falënderon lojtarët, tifozët dhe trajnerët.
Mesfushori 31-vjeçar me përvojë ka qenë një ingranazh i rëndësishëm në përpjekjet e Kroacisë drejt sukseseve historike si vendi i dytë dhe i tretë në kampionatin botëror. Besim të madh tek ai kishte përzgjedhësi Zlatko Daliq, i cili besimin e investuar e mori me luftën në fushë.
Mirëpo, edhe pse pritej të luante për disa kohë për kombëtaren pasi nuk është “i pjekur” për pension për shkak të moshës, Brozovic i ka dhënë lamtumirën e fundit fanellës kroate në letrën e sotme drejtuar publikut.
Kështu Brozovic iu bashkua Domagoj Vidës, i cili gjithashtu u tërhoq nga kombëtarja këtë verë.
“Ju më njihni aq mirë sa të dini që nuk jam një për shumë fjalë, kështu që në fakt vetëm një numër do të mjaftonte për këtë letër lamtumire. 99. Kam pasur nderin të luaj shumë herë për ekipin kombëtar të futbollit kroat dhe unë me atë numër do ta mbyll karrierën time në kombëtare”.
“Gjithmonë kam dhënë qind për qind, energji, forcë dhe pasion për Kroacinë. Ky është standardi që e kanë vendosur shumë lojtarë të mëdhenj para meje, standardi për të cilin kemi aspiruar të gjithë në këtë brez të paharrueshëm dhe standardi për të cilin duhet të përpiqet të gjithë ata që vijnë”, ka thënë ndër të tjera Brozovic në letrën e lamtumirës.
Mesfushori me eksperiencë nga Zagrebi e nisi karrierën në kombëtare në vitin 2014 dhe pas saktësisht 10 vitesh i erdhi fundi momentit. Në 99 paraqitjet e lartpërmendura, ai shënoi shtatë gola.
Brozovic do të vazhdojë karrierën e tij në klub ku aktualisht mban fanellën e Al-Nassr. Më parë, ai la gjurmë të thella në Inter dhe Dinamo Zagreb, si dhe luajti për Hrvatski Dragovoljac dhe Lokomotiva Zagreb. /Telegrafi/