Zimbabve ka konfirmuar dy rastet e para të Lisë së majmunit, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë së vendit, pa specifikuar se cili variant është regjistruar.
Rasti i parë u zbulua në një djalë 11-vjeçar i cili zhvilloi simptoma muajin e kaluar pasi udhëtoi në Afrikën e Jugut, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Rasti i dytë ishte në një burrë 24-vjeçar, i cili u sëmur pasi udhëtoi për në Tanzani, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Bëhet e ditur se të dy pacientët janë duke u shëruar dhe gjurmimi i kontaktit është duke u zhvilluar.
Rastet janë konfirmuar në kryeqytetin Harare dhe në qytetin jugor të Mberengwa.
Siç raportohet, Organizata Botërore e Shëndetësisë në gusht e shpalli mpox një emergjencë globale të shëndetit publik për herë të dytë në dy vjet, pasi një variant i ri i infeksionit viral u përhap nga Republika Demokratike e Kongos në vendet fqinje afrikane.
Varianti i ri “clade 1b” ka shkaktuar shqetësim global pasi duket se përhapet më lehtë përmes kontaktit të ngushtë.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Kujdesit dëshiron të sigurojë publikun se situata është nën kontroll”, thuhet në deklaratën e Ministrit të Shëndetësisë, Douglas Mombeshora. /Telegrafi/