Site icon Telegrafi

Një tjetër pandemi po vjen dhe këtë herë ne duhet të jemi gati

Nga: Suella Braverman / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Teksa hedhim një vështrim prapa në hapësirën e këtij Parlamenti, është e lehtë të harrojmë se jemi katër vjet pas një momenti përcaktues – bllokimi i parë i koronavirusit. Pothuajse gjithçka që ndodhi është diktuar nga ajo ngjarje.

Numri i tmerrshëm i vdekjeve në të gjithë globin është trashëgimi e paharrueshme, me familje të copëtuara nga tragjedia. Kemi parë gjithashtu punët dhe bizneset jo vetëm të ndërprera, por në shumë raste të humbura përgjithmonë. Edukimi i fëmijëve efektivisht u pezullua, ndërsa studentët rrinin në dhomat e veta të gjumit duke humbur mundësinë për t’u shoqëruar me bashkëmoshatarët e tyre në kolegje ose universitete. Shtetet duhej të ndërhynin për të ofruar mbështetje të paprecedentë, me nivelet e huamarrjes që nuk ishin parë që nga Lufta e Dytë Botërore, duke vendosur një tendosje të madhe mbi financat publike.

Shpërndarja e shpejtë e vaksinave dhe forca e njerëzve në mbarë botën do të thotë se, në shumë mënyra, kjo është një histori e përshtatjes së jashtëzakonshme njerëzore. Dhe, pasi kam shërbyer në Kabinet si prokurore e përgjithshme, kur u bënë ato zgjedhjet e vështira më 2020 dhe më 2021, jam e mendimit se Boris Johnsoni mori të vetmin vendim që kishte në dispozicion në atë kohë – veçanërisht në lidhje me bllokimin e parë në pranverën e vitit 2020.

Megjithatë, ka shumë të ngjarë që në vitet në vijim të shohim një tjetër pandemi. Vendet në mbarë botën ishin të papërgatitura për koronavirusin dhe u përballën në kohë reale me vendimet më të vështira – duke përdorur të dhënat dhe shkencën që kishin në dispozicion në atë kohë. Në të ardhmen, a mund të arrijmë një ekuilibër më të mirë në një skenar të ngjashëm?

Së pari, ishte e qartë që në fillim se mbyllja e shkollave do të dëmtonte arsimimin e fëmijëve. Miliona njerëz vuajtën për shkak të ndërprerjes së mësimeve. Duhet t’i mbështesim më mirë fëmijët tanë që të ndjekin shkollën në mënyrë të sigurt, në çdo ngjarje të ngjashme në të ardhmen, dhe duke i mbrojtur njerëzit më të cenueshëm.

Së dyti, skema e pushimit me të drejtë mbështeti shumë nga ata që nuk ishin në gjendje që të punojnë. Por, me punën në shtëpi për shumë profesione të zyrave, a nuk mund të synohej mbështetja më e saktë për ata që nuk ishin në gjendje për të punuar? Vendimet e marra më 2020 dhe 2021 ishin të paprecedentë në shkallë dhe në natyrë – ministrat bënë më të mirën që mundën, me mirëbesim. Por, me pikëpamje më të qartë, në të ardhmen duhet të dallojmë më mirë se cilat kompani dhe cilët individë kërkojnë mbështetje dhe cilët mund të vazhdojnë pa asistencë.

Së treti, si mund t’i mbrojmë më mirë të pambrojturit, përkatësisht të moshuarit dhe më të rrezikuarit nga sëmundjet në një sërë rrethanash të ngjashme me koronavirusin? Shteti ishte i përgatitur keq për një krizë masive shëndetësore dhe ne nuk mund të lejojmë që të moshuarit tanë, ata në shtëpitë e kujdesit dhe të pambrojturit, të vendosen në një rrezik të tillë në ndonjë pandemi të ardhshme. Por, edhe pacientët vdisnin të vetëm, meqë të afërmit u penguan të ishin pranë tyre. A ishte e duhur qasja kaq e ashpër? A nuk mund të sigurohemi që të afërmit do ta kenë të drejtën për të kundërshtuar vendimet e tilla në të ardhmen?

Në thelb, ka ende një mungesë në kuptimin nëse ajo që bëmë vërtet e frenonte përhapjen e virusit ose jo. Do të kalojnë vitet derisa vijnë raportet e hetimit, por ajo që na duhet tani është vlerësimi më i qartë epidemiologjik për vlerën e bllokimit. Në atë kohë, skeptikët u shmangën dhe këshilla e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) u pranua si ungjill. Tani e dimë që OBSh-ja bëri gabime gjatë pandemisë, kështu që duhet të jemi skeptikë ndaj “Traktatit të Pandemisë” të propozuar – të jemi të sigurt se qeveria jonë e ka lirinë për t’u larguar nga këshillat e saj në të ardhmen. Herën tjetër duhet të përmirësojmë modelin dhe të mbrojmë sfidën legjitime shkencore.

Dhe, sa i përket qeverive, ekziston nevoja për të marrë në konsideratë ekuilibrin midis sigurisë së shpëtimit të jetës – sa më shumë të jetë e mundur – duke mbrojtur liritë civile. A do të jetë pandemia e ardhshme si koronavirusi gjatë të cilit të moshuarit dhe të pambrojturit janë prekur në mënyrë disproporcionale? Shumica e viruseve janë të ajrit, por jo të gjithë, kështu që si do të dukeshin reagimet tona të mundshme ndaj një lloji tjetër të krizës së shëndetit publik? Duhet të jemi shumë më të përgatitur dhe më të aftë për të marrë vendime më të mira për të na mbrojtur të gjithëve – dhe kjo përfshin mbrojtjen e lirive tona. /Telegrafi/

Exit mobile version