Këngëtarja e njohur Dhurata Dora dhe reperi Lumi B së shpejti do të sjellin bashkëpunimin e tyre më të ri.
Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Dhurata shpalos detajet e këtij bashkëpunimi shumë interesant, që me gjasë do të jetë një nga hitet e verës 2017.
“Kemi përfunduar punën për këngën tonë më të re në bashkëpunim me Lumi B. Ideja për bashkëpunim erdhi nga vetë Lumi i cili më bëri ftesë, dhe kur dëgjova pastaj këngën, më pëlqeu dhe pranova me kënaqësi këtë bashkëpunim”, tha Dhurata Dora për Telegrafin.
E pyetur rreth bashkëpunimit se sa është ndarë e kënaqur, Dhurata thotë se ka qenë e kënaqur mjaft, ndërsa tregon edhe për producentin i cili ka punuar këngën, por duke lënë për fansat edhe disa detaje tjera befasi.
“Kënga është ritmike verore dhe është punuar nga Big Bang në studion ‘RedBox’, për detaje tjera do i lëmë befasi për publikun. Por mund të them se jam ndarë shumë e kënaqur nga bashkëpunimi me Lumin, sepse na ka shkuar i gjithë projekti ashtu siç e kemi menduar”, tregon më tej ajo.
Ditë më parë kanë përfunduar edhe xhirimet e klipit, në të cilin dyshja do të vijnë mjaft të freskët dhe të kuruar në çdo detaj. Për Telegrafin, Dhurata tregon se klipi është duke u punuar nga labeli, i cili e ka nën menaxhim.
“Xhirimet e klipit i kemi përfunduar në Shqipëri nga MAX Production, ku jam pjesë e kësaj kompanie. Sigurisht që do shfaqen më ndryshe në klip se herët tjera, kjo gjë është normale, pasi çdo herë vij me risi”, shprehet këngëtarja për Telegrafin.
E pyetur për angazhimet gjatë verës, këngëtarja tregoi se do të jetë shumë e zënë me aktivitete muzikore, por që nuk do të mungojnë edhe projekte tjera të reja nga ajo.
“Jam shumë e angazhuar gjatë sezonit veror, ndoshta më shumë se vitet tjera. Ndërsa kam edhe një projekt tjetër që do ta lansoj së shpejti gjatë muajve të nxehtë”, përfundoi Dhurata rrëfimin e saj. /Telegrafi/