Telegrafi

Një tërmet i fuqishëm godet Zelandën e Re, frikë për cunami

Një tërmet me madhësi 7.4 ka tronditur Zelandën e Re me një epiqendër në Ishujt Kermadec rreth 710 kilometra larg bregdetit të Gisborne, në lindje të ishullit të Veriut

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, mijëra banorë vendas raportuan se kanë ndjerë tërmetin dhe disa banorë në vijën bregdetare lindore të vendit u urdhëruan të evakuohen në vendet me lartësi më të madh, si një masë paraprake.

Me një fuqi prej 7.4 të shkallës Rihter do të thotë që tërmeti është në pesë më të fuqishmit deri më tani këtë vit, megjithëse nuk ka raporte për dëme.

Autoritetet e urgjencës që monitorojnë për çdo shenjë të cunamit kanë thënë se nuk ka asnjë kërcënim dhe kushdo që është evakuuar mund të kthehet në shtëpi.

Tërmeti thuhet se goditi pranë Ishujve Kermadec, rreth 710 km larg Gisborne, në bregdetin lindor të ishullit të Veriut. /Telegrafi/