Një tërmet me magnitudë 7.4 goditi brigjet e provincës Sulawesi të Indonezisë, duke bërë që njerëzit të evakuohen nga shtëpitë dhe ndërtesat.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, tërmeti ndodhi rreth orës 10:30 me orën lokale të martën në detin Flores.
Ai preku rajonin e Nusa Tenggara Lindore, thanë zyrtarët.
Nuk raportohet ende për të lënduar apo dëme të mëdha, por vendasit thanë se ndjenë lëkundje të mëdha.
Paralajmërimet për cunami për zonën u hoqën më vonë të martën.
“Të gjithë ishin të shokuar. Ata po iknin nga shtëpitë e tyre. Disa ishin gati të vraponin drejt kodrave”, ka thënë Takdir, një banor për BBC Indonesia.
Megjithatë, ai shtoi se shumica e njerëzve tani ishin “rikthyer në aktivitetet e tyre normale”, duke shtuar se nuk kishte asnjë shenjë të një cunami.
Tërmeti vjen vetëm 10 ditë pas shpërthimit të madh vullkanik të malit Semeru në ishullin Java, i cili vrau të paktën 46 njerëz.
Tërmetet janë të zakonshme në Indonezi pasi arkipelagu shtrihet në “Unazën e Zjarrit”, një kurbë vullkanesh dhe linjash thyerjesh në Oqeanin Paqësor. /Telegrafi/