Telegrafi

Një tërmet i fuqishëm godet Kroacinë: “Mendova se një uragan përfshiu shtëpinë time”

Një tërmet me fuqi 4.2 të shkallës së Richterit goditi zonën më të gjerë të Knin, Graçac dhe gjithë zonën bregdetare nga Zara deri në Shibenik këtë mëngjes, njoftoi Shërbimi Sizmologjik i Republikës së Kroacisë.

Sipas mediave kroate, përcjell Telegrafi, epiqendra e tërmetit që ndodhi në orën 5 e 10 minuta ishte 23 kilometra në veriperëndim të Kninit.

Deri më tani, nuk ka asnjë informacion për dëmtime të mundshme materiale, ka shtuar shërbimi sizmologjik.

Një lexues nga Zara ka rrëfyer: “Unë u zgjova nga tërmeti. Ndërtesa po dridhej dhe dollapët po dridheshin. Ishte sikur një uragan të kishte kaluar nëpër shtëpinë time”.

“Kam dëgjuar një tingull si bubullima. Më zgjoi dhe u ndjeva sikur po dridhesha ndërsa isha shtrirë në shtrat”, ka thënë një banor tjetër. /Telegrafi/