Telegrafi

Një tërmet i fuqishëm godet Athinën, evakuim banorësh dhe ndërprerje të lidhjeve telefonike dhe energjisë

Një tërmet i fuqishëm goditi Athinën, kryeqytetin e Greqisë, duke ndërprerë lidhjet telefonike dhe energjinë elektrike në disa pjesë.

Epiqendra e tërmetit, me fuqi prej 5.1 shkallësh të Richterit, u regjistrua rreth 22 kilometra në veriperëndim të Athinës.

Banorët dolën në rrugë, ndërsa disa ndërtesa të larta u evakuuan pasi dridhja zgjati rreth 15 sekonda.
Raporte për viktima nuk ka.

Kreu i Agjencisë së Mbrojtjes Kundër Tërmetit, Efthymios Lekkas, u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë.

“Nuk ka arsye për shqetësim. Ndërtesat e kryeqytetit janë ndërtuar për t’i bërë ballë një tërmeti shumë më të fortë”, tha ai, përcjell rel.

Sizmologët thanë se tërmeti ishte rreth 13 kilometra nga sipërfaqja e Tokës dhe se afërsia e tij është arsyeja pse u ndje shumë.