Site icon Telegrafi

Një temë si një barsoletë

Demant rreth opinionit të Bajram Mjekut, të botuar në Telegrafi.com më 23 maj 2012.

Opinioni “Rreth Abetares të përbashkuar”, është opinion i një demagogu, që lexuesve të Kosovës, Shqipërisë dhe viseve tjera shqiptare u servon dushk për gogla, se kinse ai e paska gjetur pengesën kryesore për moszbatimin e reformave në arsimin e Kosovës dhe Shqipërisë. Ai thotë se bazuar në “një raport investigues” të një televizioni nacional, realizuar në një shkollë fillore (fjala është për shkollën fillore ”Migjeni” në Shipitullë-Obiliq), në të cilën shkollë B. Mjeku, më 1 shtator 1971 i paska mësuar shkronjat e para tek mësuesi Fetah Bylykbashi, i cili atëherë paska pasur nivel shkollimi më shumë se sa mësimdhënësit e kësaj shkolle katër dekada më vonë; se duke e parë storjen e xhiruar “të gjithë dukeshin të veshur si mos më keq” (fjala është për mësimdhënësit e Shipitullës v.i.); se shkolla nuk është riparuar në dekadat e fundit dhe dera e hyrjes në shkollë ia ka kujtuar “storjet tmerruese të shpellave të Tora-Borës”(të Afganistanit v. i.); se gati të gjithë mësimdhënësit vijnë nga e njëjta familje (është fjala për mësimdhënësit me mbiemrat Mjekiqi-Mjeku v.i.), se edhe emri i fshatit Shipitullë shqiptohet keq dhe “provokon me humor”; dhe ka nxjerrë shumë shembuj, gjykime e përfundime të një diletanti se “këto janë shenjat e para se arsimi në Kosovë ende nuk është reformuar dhe është edhe më keq se sa dekada më pare” etj.

Ky shkrim me këto gënjeshtra, vërtet më provokoi edhe mua – drejtorin e Shkollës Fillore “Migjeni” në Siboc, në kuadër të së cilës shkollë është edhe paralelja e ndarë fizike në Shipitullë dhe ajo në Graboc të Epërm.

Unë kam qenë drejtor në këtë shkollë që nga 1 shtatori 1974.

Dikush me siguri do të interesohet pse kaq gjatë unë prapë jam drejtor në të njëjtën shkollë. Po i njoftoj lexuesit e nderuar se unë jam burgosur më 18.06.1982, kur në zyrën time m’i kanë lidhur duart inspektorët e sigurimit shtetëror (UDB-ja) në prezencën e mësimdhënësve dhe nxënësve në Siboc.
Aktakuza ka qenë – Vepër Penale kundër RSFJ-së, kundër Vëllazërim-Bashkimit të asaj kohe. Pas daljes nga burgu nuk kam pasur të drejtë të punoj më në arsim. Arsimit iu ktheva kur u pavarësua arsimi shqiptar në Kosovë, kurse drejtor jam zgjedhur në vitin 2007.

Duke u bazuar në të dhënat faktike, deklaroj :

1. Fetah Bylykbashi nuk ka qenë në Shipitullë në marrëdhënie pune më 1.09.1971, kurse Bajram Mjeku thotë se shkronjat e para i ka mësuar te ky mësues në këtë datë.

2. Në shkollën e Shipitullës që është 9 klasëshe dhe të Grabocit të Epërm që është 5 klasëshe punojnë gjithsej 17 mësimdhënës dhe 2 pastrues, prej tyre 9 mësimdhënës janë me mbiemra Mjekiqi-Mjeku dhe 8 mësimdhënës janë të tjerë, kurse të 2 pastruesit janë me mbiemra Mjekiqi-Mjeku.

Shkalla e kualifikimit shkollor për Mjekiq-Mjeku është: 4 profesorë, 2 arsimtarë me SHLP dhe 3 mësues me normale 5 vjeçare. Të gjithë janë të kualifikuar për punët dhe detyrat e punës që i kryejnë, kurse disa prej tyre edhe kanë qenë mësimdhënës dhe kujdestarë klase të Bajram Mjekut.

Nga 8 mësimdhënësit tjerë, që nuk e kanë mbiemrin Mjekiqi-Mjeku, ata kanë këtë kualifikim : 1 Master, 4 profesorë dhe një me akademi pedagogjike. Kjo është struktura e të punësuarve në këto dy shkolla.

Bajram Mjeku shkruan se 4 dekada më vonë mësimdhënësit e kësaj shkolle kanë nivel më të ulët të përgatitjes shkollore se sa mësuesi i tij para 4 dekadave.

Projekti yt “investigues”është gënjeshtër e kulluar edhe për mësimdhënësit në tërësi – edhe për Mjekiqët-Mjeku. Duhet të turpërohesh para këtyre fakteve.

E pavërteta tjetër është se shkolla me dekada nuk qenka riparuar, kurse shkolla e Shipitullës është riparuar komplet nga KFOR-i Finlandez dhe me datën 03.09.2007, në ora 14:00, është mbajtur një manifestim me rastin e hyrjes në objektin shkollor të riparuar.

Është pra shumë e çuditshme se si t’u ka dukur dera e hyrjes së shkollës – sikur shpellat e Tora-Borës, ku kanë ndenjur Talibanët në Afganistan, kurse mësimdhënësit që ti ke thënë se shumica janë të një familjeje, disa prej tyre kujdestarë klase dhe mësimdhënës tuaj të shkollës fillore, paskan qenë “të veshur si mos më keq”. Ti, duke e shikuar storjen televizive për shkollën e Shipitullës dhe për kushërinjtë tuaj mësimdhënës, të paska dalë para syve sindromi i fatamorganës – duke e parë Tora-Borën e Afganistanit në Shipitullë. I paske parë kushërinjtë tuaj mësimdhënës “të veshur si mos më keq dhe nepotizmin e pajustifikuar, sepse kjo shkollë qenka larg Prishtinës 24 kilometra”.

Këta kushërinjtë tuaj mësimdhënës, të veshur si mos më keq – si thua ti, nuk e kanë lëshuar kurrë Shipitullën as Grabocin e Epërm (në të dy fshatrat të gjithë banorët janë me mbiemra Mjekiqi-Mjeku); këta mësimdhënësit tuaj, që i ke pasur edhe kujdestarë të klasës, punojnë me dekada në shkollën e Shipitullës, që kanë punuar edhe pa të ardhura personale, që kanë qenë të rrezikuar para luftës e gjatë luftës, që nuk i kanë pranuar planprogramet e Serbisë, që nuk kanë ikur nga Kosova: këta kanë lëshuar libreza e dëftesa nxënësish me vulë të Republikës së Kosovës; këta ti i ke parë të veshur si mos më keq.

Këta mësimdhënës duhet t`i shohim ndryshe, duhet t`i shohim ashtu si kanë punuar e si janë sakrifikuar, ashtu siç janë: pishtarë të dritës e diturisë, me shkallë të shkollimit profesional adekuat për vendet e tyre të punës, ashtu siç parashihet me Ligjin për Arsimin Parauniversitar të Republikës së Kosovës. Bëhet pyetja: pse i fyen këta mësimdhënës dhe pse shpif?! Çfarë nepotizmi ka në shkollën e Shipitullës dhe Grabocit të Epërm, kur aty punojnë 9 mësimdhënës me mbiemra Mjekiqi nga 2 fshatra, kurse 8 mësimdhënës të tjerë që nuk kanë mbiemrat Mjeku-Mjekiqi vijnë nga Siboci, Hadja, Pomozotini dhe Prishtina. Ti,vërtet, shpifë pa fije turpi duke thënë se “gati të gjithë mësimdhënësit e kësaj shkolle vijnë nga e njëjta familje, që realisht përbën nepotizëm, derisa shumica prej tyre e kanë vetëm shkollimin e mesëm”.

Në këtë fjali ti për lexuesit i ke lansuar 3 gënjeshtra :

1. Konteksti “shumica vijnë nga e njëjta familje”… lexuesin e painformuar e fokuson qëllimshëm sikur të gjithë këta mësimdhënës (Mjeku-Mjekiqi) qenkan të së njëjtës familje, me fjalë të tjera të një shtëpie?! Këta mësimdhënës Mjekiqi-Mjeku janë të 2 fshatrave; këta mësimdhënës nuk janë të së njëjtës familje. Nuk di si e trajton dhe sa e kupton Bajram Mjeku kuptimin e familjes dhe kuptimin e fshatit. Ai me siguri e di ç`është familja dhe ç`është fshati – katundi. Ai vetë e di të vërtetën, sepse aty e ka edhe një pjesë të familjes së tij, por në mënyrë perfide e mashtron lexuesin se ka nepotizëm (familjarizëm), se mësimdhënësit “janë nga e njëjta familje”.

2. Në bazë të fjalisë së parë gënjeshtër, ai e përmend si pasojë nepotizmin – rrjedhim i gënjeshtrës së tij.

3. Gënjeshtra e tretë që ka të bëjë me shkallën e ulët të shkollimit të mësimdhënësve. Unë deklaroj se të gjithë mësimdhënësit e kanë shkallën e shkollimit profesional adekuat për vendet e tyre të punës.

Ke shpifur edhe rreth shqiptimit të emrit të fshatit Shipitullë, se kinse “shqiptohet keq”. Gjithmonë emri i këtij fshati është shqiptuar dhe shkruar Shipitullë dhe shqiptimi i tij nuk ka të bëjë fare me fshatrat tjerë si Muqibaba ose Llukari.

Artikulli i Bajram Mjekut ka plot shpifje, gënjeshtra, fyerje dhe etiketime. Shkrimi i tij me një titull të aktualitetit të sotëm “Rreth Abetares të përbashkuar” inskenon dhe sajon ngjarje e tabllo të rrejshme, duke u zhagitur e duke u zhyer tërësisht, siç zhyhen gjithmonë gënjeshtarët dhe demagogët.

Unë, drejtori i shkollës që jam edhe pedagog i diplomuar, të porosis që të mos shkruash fare për temat që nuk i njeh, që nuk e di çka do të thotë mësimdhënie e mësimnxënie bashkëkohore dhe çka janë e çka nënkuptojnë reformat në arsim.

Mos krijo dëshmi e argumente përmes gënjeshtrave dhe pastaj ato gënjeshtra dhe shpifje mos i përdor si argumente për të gjykuar se ja ku qenka arsimi ynë, ja çfarë duhet bërë, se kinse nuk kemi as në Kosovë e as në Shqipëri reforma në arsim.

Mos përdor shembuj që fare nuk kanë të bëjnë me reformat arsimore.

Ti e përmend edhe guximin e të madhit Ataturk, kur alfabetin arab e ka zëvendësuar me atë latin dhe kërkon guximtarë si Ataturku për reformat në arsimin e Kosovës dhe të Shqipërisë?! Unë nuk kam koment për një guximtar si Ataturku që u dashka ta kemi për reformat në arsim?!

Edhe shembulli i fundit në shkrimin tuaj rreth punësimit të mësimdhënësve, që e ke quajtur barsoletë, me të cilin përmbyllet shkrimi juaj, sikur e tipizon krejt temën bosht si një barsoletë .

(autori është drejtor i Shkollës Fillore “Migjeni” në Siboc)

 

Exit mobile version