Një sulm vetëvrasës goditi një restorant në qytetin Beni në Kongon lindore të shtunën, duke vrarë të paktën pesë persona si dhe sulmuesin, thanë zyrtarët.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, sulmi shënon dhunën e fundit në një rajon ku forcat kongoleze dhe ugande kanë nisur një fushatë kundër islamistëve të dyshuar.
“Vetëvrasësi, i penguar nga rojet e sigurisë për të hyrë në një lokal të mbushur me njerëz, aktivizoi bombën në hyrje të lokalit”, tha në një deklaratë zëdhënësi i guvernatorit rajonal, Gjeneral Ekenge Sylvain.
“Gjashtë persona vdiqën në shpërthim dhe 14 u plagosën, duke përfshirë dy zyrtarë lokalë”, shtoi ai.
Sylvain tha se kryengritësit e Forcave Demokratike Aleate (ADF), një grup i lidhur me Shtetin Islamik, kishin aktivizuar një “celulë” në Beni për të synuar qytetarët, por ai nuk dha prova që i lidhnin ata me shpërthimin.
Megjithatë, ADF nuk mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin. /Telegrafi/