Site icon Telegrafi

Një stuhi e fuqishme godet Libinë, raportohet për 150 të vdekur – pamjet flasin vetë

Një stuhi e fuqishme mesdhetare përfshiu Libinë lindore të dielën dhe të hënën, duke vrarë rreth 150 njerëz dhe duke dëmtuar shtëpi dhe rrugë.

Përveç tyre, siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, shtatë anëtarë të Ushtrisë Kombëtare Libiane ishin raportuar të zhdukur.

Ndërkohë pamjet në mediat sociale treguan njerëz të bllokuar në automjetet e tyre ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihmë në përmbytjet e mëdha ndërsa stuhia Daniel goditi qytetet Bengazi, Sousse, Al Bayda, Al-Marj dhe Derna.

“Ne ishim në gjumë dhe kur u zgjuam, gjetëm ujë rreth shtëpive. Jemi brenda dhe përpiqemi të dalim”, i tha Reuters me telefon të hënën banori i Derna, Ahmed Mohamed.

E dëshmitarët kanë bërë të ditur se operacionet e kërkim-shpëtimit ishin duke vazhduar.

Si pasojë, autoritetet shpallën gjendjen e jashtëzakonshme, duke mbyllur shkollat dhe dyqanet dhe duke vendosur një “shtetrrethim”.

Siç raportohet më tej, katër portet kryesore të naftës në Libi, Ras Lanuf, Zueitina, Brega dhe Es Sidra, u mbyllën nga e shtuna në mbrëmje për tre ditë, thanë dy inxhinierë nafte për Reuters.

Kryeministri i qeverisë së përkohshme në Tripoli, Abdulhamid Dbeiba, bëri të ditur të dielën se ai kishte udhëzuar të gjitha agjencitë shtetërore që “të merren menjëherë” me dëmet dhe përmbytjet në qytetet lindore.

Ndërsa Kombet e Bashkuara në Libi thanë se po e ndiqnin stuhinë nga afër dhe do të “sigurojnë ndihmë urgjente në mbështetje të përpjekjeve të reagimit në nivel lokal dhe kombëtar”. /Telegrafi/

Exit mobile version