Telegrafi

Një studim thotë se gati një në katër banorët e kryeqytetit të Indisë është prekur nga coronavirusi

Gati një në katër banorë në kryeqytetin e Indisë, Delhi, është ekspozuar ndaj infeksionit të coronavirusit, sugjerojnë testet e antitrupave në një kampion të rastësishëm të njerëzve.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, sondazhi qeveritar tha se 23,48% e 21,387 personave, mostrat e gjakut të të cilëve u testuan kishin antitrupa për COVID-19.

Siç thuhet më tej, sondazhi sugjeron që infeksionet në qytet janë shumë më të përhapura nga sa tregon numri i rasteve të konfirmuara.

Ndryshe, Delhi deri më tani ka regjistruar 123,747 raste, ekuivalente me më pak se 1% të popullsisë së saj prej 19.8 milionë.

Në 23,44%, numri i infeksioneve do të ishte 4,65 milionë në një qytet me madhësi të tillë.

Një njoftim për shtyp i qeverisë thotë se ndryshimi tregon se “një numër i madh i personave të infektuar mbesin asimptomatikë”.

Madje thuhet se shifra prej 23,48% mund të jetë shumë e ulët sepse Delhi ka zona të popullsisë së dendur.

Por shton se “një pjesë e konsiderueshme e popullsisë është akoma e prekshme” dhe të gjitha masat e sigurisë duhet të ndiqen rreptësisht.

Ekspertët thonë se studimi, i pari i këtij lloji në Indi, është thelbësor sepse do të ndihmojë autoritetet të kuptojnë më mirë përhapjen e virusit.

Ai do t’i udhëzojë ata drejt shpërndarjes më të mirë të objekteve të testimit dhe gjithashtu të ndihmojë në hartimin e politikave të kufizimit specifik për zonën.

Delhi ka qenë një nga qytetet më të goditur në Indi dhe pa një mungesë kronike të shtretërve spitalorë në dy javët e para të qershorit.

Por, infrastruktura spitalore është përmirësuar që nga ajo kohë dhe numri i rasteve ditore gjithashtu ka rënë.

Kryeqyteti ka regjistruar 1.200 deri 1.600 raste të reja në ditë në dy javët e kaluara – rreth gjysma e numrit të tij ditor në javën e fundit të qershorit. Dhe të hënën, qyteti regjistroi vetëm 954 raste.

Siç thuhet më tej, rënia e mprehtë e numrit të rasteve mund t’i atribuohet testimit të rritur, gjurmimit, mbajtjes dhe izolimit, duke shtuar se qyteti gjithashtu ka regjistruar një rënie të numrit të viktimave. /Telegrafi/