Telegrafi

Një studim i ri flet për pasojat e përdorimit të celularit

Studimi nuk thotë nëse kjo është gjë e mirë apo e keqe për shëndetin, por ai ka ringjallur debatin mbi sigurinë e telefonave celularë dhe ka bërë që të ndërmerren studime të tjera mbi efektet e telefonit celular tek truri.

Për shumicën prej nesh, është vështirë të mendohet jeta pa telefon celular. Dhjetëra vite studime mbi radioaktivitetin e celularëve që mund të shkaktojë tumore nuk kanë sjellë rezultate përfundimtare. Kompanitë e telefonave celularë ngulin këmbë se përdorimi i tyre nuk përbën problem.

Studimi i ri i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë nuk i ka dhënë zgjidhje debatit, por ofron disa të dhëna që mund të studiohen më tej. Në studim, mjekja Nora Volkow dhe kolegët e saj në Institutin Kombëtar të Drogave ka testuar 47 persona të shëndetshëm gjatë një periudhe një vjeçare.

Pjesëmarrësit kanë vendosur celularin në veshin e djathtë dhe të majtë. Njëri nga celularët mbahej i aktivizuar por volumi i ishte ulur fare, kurse tjetri ishte fikur.

Pastaj pjesëmarrësit u testuan me celularë të fikur. Ndërkohë që personat mbanin celularin në vesh, truri i tyre skanohej duke përdorur teknika të sofistikuara. Volkow thotë se truri i skanuar tregonte rritje të aktivitetit metabolik në qelizat që ishin më afër celularit.

“Pjesa e djathtë e trurit që ishte afër antenës tregonte rritjen më të madhe të metabolizmit në krahasim me kohën kur celulari ishte i fikur. Megjithëse radio frekuencat që vijnë nga teknologjia e celularit janë më të dobëta, ato janë të afta të aktivizojnë trurin e njeriut që ai të prodhojë efekt.”

Efekti i kësaj ishte një rritje prej 7 përqind në një ritëm në të cilin qelizat e trurit më afër antenës së aktivizuar të celularit shndërronin sheqerin në energji, një aktivitet normal.

Dr. Giuseppe Esposito, ekspert i mjekësisë bërthamore, thotë se studimi tregon qartë se sinjalet e telefonave celularë mund të aktivizojnë qelizat e trurit. /VoA/.