Pas 12 vitesh përpjekje nga komuniteti shqiptar në Parma të Italisë, në një nga sheshet e këtij qyteti do të vendoset së shpejti statuja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
“Të dashur miq! Me kënaqësi dhe emocion të veçantë ju komunikojmë se pas gati 12 vitesh vullnetarizëm, dedikim, impenjim, aktivitete të pafundta me komunitetin shqiptar në Parma, me dyer të hapura e gjithnjë të përkushtuar në ruajtjen dhe përhapjen e kulturës dhe traditave shqiptare në Parma dhe më gjerë, mbas një pune voluminoze dhe intensive nga ana e shoqatës, Bashkia e Pamës iu është përgjigjur pozitivisht kërkesës së shoqatës tonë për vendosjen e bustit të Heroit kombëtar të të gjithë Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu në një nga hapsirat e qytetit.
Kërkesa i është paraqitur Bashkisë së Parmës nga këshilltari i jashtëm i Bashkisë Marion Gajda, i cili është dhe pjesë e grupit tonë drejtues, rreth një viti më parë me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut dhe për të kurorëzuar kështu më së miri këtë vit që Shqipëria ia ka dedikuar atij. Përgjigja pozitive nga ana e Bashkisë mbërriti pak ditë më parë e na gëzon pamasë, na nderon e na mbush me krenari pasi ky është viti i Heroit tonë Kombëtar, e ne në Parma do ta përkujtojmë më së miri me vendosjen së shpejti të bustit të tij.
Krenarë për të gjithë punën e vyer që është kryer! Le të gëzojmë së bashku këtë arritje e vlerësim të komunitetit shqiptar në Parma”, shkruan Scanderbeg Parma. /27.al/