Site icon Telegrafi

Një spital që shëron edhe me art

Artistja e pavarur dhe kuratorja e artit Sadhyo Niederberger, jeton dhe punon në Zvicrën gjermanofolëse. Që nga viti 1989, vit në të cilin ajo përfundoi studimet për multimedia në Gjenevë, është përfshirë në projekte ndërkulturore dhe multidisiplinare. Ajo ka ekspozuar në ekspozita vetjake dhe në grupe dhe që nga viti 2008 ka punuar si menaxhere arti në spitalin kantonal të Aaraut.

Spitali ka një koleksion të madh të veprave të artit. Si lindi ky koleksion?

Që nga vitet 1950, drejtorët, mjekët dhe punonjësit e spitalit kanë filluar të dhurojnë vepra nga koleksionet e tyre private. Këtyre iu shtuan edhe afreske, mozaikë, skulptura dhe më në fund vepra të mëdha arti u porositën. Në ndërtesën kryesore ka tri vepra nga artistja franko-gjermane Gloria Friedmann. Në këtë spital varen fotografi me format të madh të Balthasar Burkhardit, fotografit të famshëm që vdiq në 2010, ose punime të artistëve si Niele Toroni, Richard Tuttle dhe Hugo Suter. Veprat mund të gjenden edhe në pavijonet e tjera. Pastaj janë ato në korridore, dhoma pacientësh, klinika, laboratorë dhe zyra mjekësh.

Cili është roli juaj?

Kujdesem për ruajtjen e veprave, i blej, i var, i zhvendos, i arkivoj, bëj një inventar të donacioneve dhe më pas organizoj ekspozita të artistëve bashkëkohorë dhe drejtoj projekte të ndryshme me artistë.

Si reagojnë mjekët?

Shumë mjekë janë të interesuar për artin; disa janë koleksionistë të vërtetë ose madje kanë prirje artistike. Me ta formojmë një grup të mirë dhe nuk duhet të bëj shumë përpjekje për t’i bindur. E di që ata e vlerësojnë punën time.

Cili është reagimi ndaj veprave që janë ekspozuar?

Le të marrim pllakat e mëdha nga Gloria Friedmannit, “Paraardhësit e së Ardhmes”, të gjetura në atriumin e ndërtesës kryesore, të bëra prej druri të karbonizuar, pendëve të korbit të zi, dheut të thatë dhe materialeve të tjerë. Që nga fillimi këto tabela kanë qenë një burim diskutimesh. Shumë ishin të bindur se ato nuk ishin të përshtatshme për njerëzit e zakonshëm. Sot ato janë bërë pjesë integrale e arkitekturës.

Stafi dhe pacientët vijnë nga pjesë të ndryshme të botës. Sa gjuhë dhe sa kultura ka?

Në vitet e fundit, njerëz nga rreth 80 vende kanë punuar këtu (70 për qind me pasaporta zvicerane, 16 për qind me pasaporta gjermane dhe 14 për qind me një kombësi tjetër). Pacientët e trajtuar në spital vijnë nga 164 vende (75 për qind nga Zvicra, 24 për qind nga një vend tjetër, për një për qind kombësia nuk dihet).

Si reagojnë vizitorët ndaj artit?

Në mënyra të ndryshme. Një histori shumë të bukur më tha një mik, i cili shkonte për të vizituar gruan e tij të sëmurë rëndë, për çdo ditë. Ai gradualisht kapur pas veprave individuale të artit duke u përpjekur të merrte forcë nga pikturat. Ishin vepra të piktorëve dhe artistëve që ai njihte. Më vonë më tha se nuk e dinte nëse do të kishte duruar një periudhë kaq të vështirë pa praninë e atyre punimeve.

Po pacientët?

Në spitalin tonë ka një vepër arti në çdo dhomë të pacientit. Sigurisht, zgjedhja nuk i plotëson gjithmonë shijet e tyre ose sepse është shumë moderne ose sepse është e modës së vjetër. Por, për të gjithë është mirë që dhoma të zbukurohet me një vepër që i nxjerr nga bota e sëmundjes. /Gazeta “Si”/

Exit mobile version