Telegrafi

Një spektakël qiellor do të shfaqet sonte, tjetrin mund ta shihni vetëm pas disa vitesh

Një spektakël i rrallë qiellor do të ndriçojë qiellin e natës sonte duke na sjellë një pamje të paharrueshme që do të përsëritet vetëm pas 14 vjetësh.

Astronomët theksuan se ky lloj fenomeni ka ndodhur për herë të fundit në vitin 2018, dhe mundësia për ta vëzhguar përsëri do të jetë vetëm në vitin 2037, transmeton Telegrafi.

Gjegjësisht, natën e 1 gushtit do të shfaqet super-hëna e parë e gushtit dhe vetëm 30 ditë më vonë hëna e dytë e plotë, e njohur si “hëna blu”.

Ajo që e bën edhe më interesant këtë spektakël është se në të njëjtën natë planetët sikurse Mërkuri dhe Marsi do të jenë të dukshëm në qiell, gjë që ndodh rrallë. Ky kombinim i një super-hëne dhe dukshmërisë së planetëve do të jetë një kënaqësi e vërtetë për adhuruesit e astronomisë dhe fenomeneve qiellore.

Nëse moti do të jetë i mirë dhe qielli është pa re, ky fenomen i paharrueshëm do t’i lejojë vëzhguesit të shohin me sy të lirë detajet e sipërfaqes hënore, siç janë fushat e errëta të formuara nga rrjedhat e lavës vullkanike të lashtë. /Telegrafi/