Site icon Telegrafi

Një si reagim për fushatën jo të ndershme ndaj z. Behgjet Pacolli

Në prag të konstituimit dhe të funksionalizimit të institucioneve shtetërore të Kosovës, pas procesit zgjedhor të dhjetorit të vitit të shkuar dhe janarit të këtij viti, filloi një fushat histerike ndaj bartësve të institucioneve të Kosovës, z. Hashim Thaçit, i cili do të jetë kryeministër edhe katër vitet e ardhshme dhe ndaj z. Behgjet Pacollit, i cili u zgjodh president i Republikës së Kosovës.

Disa media kosovare, sidomos pas bërjes publike që koalicioni i ardhshëm qeverisë do të bëhet në mes të PDK-së dhe AKR-së, e posaçërisht pas marrëveshjes së këtyre dy partive që posti i presidentit t’i takoj Behgjet Pacollit, kanë ndërmarrë një fushat denigruese, të pandershme dhe, shih çudinë, në koordinim të plotë me shtypin serb dhe atë sllav (rus e kroat).

Fushata ndaj Pacollit është ngritur në bazë të gjoja disa intervistave që ky i paskësh dhënë për shtypin e këtyre vendeve vite më parë, e që tani, për nevojat e dikujt, (ri)sillen me tituj bombastikë që në themel kishin denigrimin e personalitet të pretendentit për president të Kosovës, z. Behgjet Pacolli.

Është krejt e ligjshme dhe demokratike që shtypi i një vendi t’i kushtoj kujdes meritor e të gjithanshëm një personi që pretendon postin reprezentativ të të parit të popullit dhe të shtetit, ngase ai është pasqyrë e tij, por kjo duhet bërë pa paragjykime dhe e bazuar në realitete dhe në të vërteta dhe jo në konstruksione e matrapazllëqe nga më të ulëtat.

Si mund që të ngitet një fushatë e tërë ndaj një personaliteti shqiptarë e bazuar thjeshtë në gazetat bulevardeske sllave, e nga të cilat dihet që historikisht shqiptarët kurrë nuk kanë pritur ndonjë gjë të mirë! Kjo nuk është parë dhe as dëgjuar ndonjëherë deri më sot!

Si ta kuptojmë një pjesë të shtypit tonë apo gjoja disa publicistëve, që fushatën ndaj Pacollit ta ngrehin mbi bazën e disa titujve bombastikë të medieve serbe e ruse, pa u analizuar ato, pa u marrë fare me vërtetësinë dhe korrektësinë e atyre shkrimeve dhe duke nxjerrë pjesë, sipas nevojës, nga konteksti.

Një analist i mirë, i paanshëm dhe që nuk i shërben ndonjë grupi të interesit a klanit të caktuar, analizën apo opinionin e tij e bazon në fakte dhe argumente, në të dhëna konkrete dhe me qasje reale, e jo të bëjë “analiza” të porositura të bazuar në thashetheme e konstruksione sipas tekeve dhe nevojave të dikujt. Madje shkrimi me inercion dhe gjuha denigruese e poshtëruese e disa “analistëve” ndaj Pacollit, po edhe Thaçit, s’ka se si të kuptohen ndryshe veçse si një mision që bëjnë në shërbim të qarqeve të caktuar e që i dinë këta “analistë”. Sepse për z. Pacollin apo z. Thaçin, më shumë se në shtypin sllav, duhet të bazohemi në veprat konkrete që kanë bërë këta dy liderë për dhe në Kosovë, e madje edhe për Shqiptarët në përgjithësi, si dhe në Evropë dhe tek miqtë tanë ndërkombëtar.

Është krejt legjitime dhe normale që qytetarët e Kosovës të zgjedhin dhe të zgjidhen, dhe kjo e drejt e tyre është kategori kushtetuese, jo vetëm e Kosovës po edhe në vendet e botës demokratike. Kjo vlerë edhe për z. Thaçi e z. Pacolli të cilët përfaqësojnë subjekte të respektuara politike dhe të cilët kanë kaluar përmes sistemit të zgjedhjeve të lira, që tashmë janë pranuar dhe janë certifikuar. Kurse bërja e koalicioneve është një praktikë e njohur në vendet demokratike dhe të lira. Është përgjegjësi e spektrit politik në Kosovës që votat e marra nga qytetarët t’i vënë në funksion të stabilizimit të shtetit, e jo për teke e interesa personale dhe duke abuzuar me to, të bllokojnë formimin e institucioneve të vendit. Andaj në këtë kontekst duhet parë edhe arritjen e marrëveshjes për koalicion në mes dy subjekteve politike, në këtë rast në mes të PDK-së dhe AKR-së.

Nga kjo që thamë, gjithçka është bërë në baza të shëndosha, e demokratike në pajtim të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Andaj është e çuditshme pse është ngritur kjo fushatë denigruese ndaj partnerëve të koalicionet e posaçërisht ndaj z. Pacollit.

Me këtë rast, për “analistët” që bënë fushatë kundër Pacollit dua të them se koalicioni në mes Thaçit e Pacollit ka marrë edhe miratimin e miqve më të mëdhenj të shqiptarëve, pikësëpari të SHBA-ve, pastaj të Londrës, Parisit, Berlinit, Brukselit e kështu me radhë. Koalicioni ka marrë përkrahjen edhe të spektrit politik në Shqipëri. Natyrisht nuk e ka marrë mbështetjen e këtyre “analistëve”, bashkëmendimtarët dhe qendrave sllave në Beograd e Moskë, që janë alarmuar dhe janë vënë në sulm ndaj bartëseve kryesor të këtij koalicioni.

Gjuha e përdorur në shkarravinat dhe broçkullat e disa “analistëve”, tregojnë qartë për hipokrizinë e tyre, së pari ndaj profesionit të tij dhe së dyti vë në lajthitje dhe luan me ndjenjat dhe me votat e qytetarëve të Kosovës. Një gjuhë e tillë, që ka për qëllim damkosjen dhe linçimin e njerëzve, për të vetmen arsye se nuk mendojnë si ai, apo nuk janë pjesë e klanit të tij, mund të themi me përgjegjësi se është ves i trashëguar nga sistemi monist nga i cili pësoi rënd populli ynë, sidomos njerëzit me prirje atdhetare. Por për të mos u marrë më tepër me këtë soj analistësh, me pak rreshta do të paraqesim disa pikëpamje kur është në pyetje personaliteti i Behgjet Pacollit dhe kontributi i tij për Kosovën.

– Tanimë s’ka dyshim që z. Behgjet Pacolli, është një ndër biznesmenët më të njohur shqiptar në përmasa ndërkombëtare, i cili me punën dhe angazhimin e tij ka bërë emër në tregun ndërkombëtar dhe këtë në kushtet e një ekonomie të lire dhe në një konkurrencë të denjë e me kritere.

– Behgjet Pacollin, populli i Kosovës e njeh nga afër si një njeri human, që është shquar si humanist i vërtet. Këtë më së miri e dinë mijëra familje që ky i ka ndihmuar në mënyra të ndryshme, si në aspektin shëndetësor, atë të banimit, atë të përkrahjes etj.

– Behgjet Pacolli, është treguar përkrahës i institucioneve (paralele) të Kosovës në vitet ‘90-’99, kur financoi e përkrahu materialisht institucionet e Kosovës. Po ashtu, Pacolli përkrahu fuqishëm edhe luftën për çlirimin e vendit.

– Behgjet Pacolli dhe kompania e tij “Mabetex” në Kosovë ka ardhur me kapital të krijuar jashtë Kosovës, në botën perëndimore, e ndërtuar në filozofinë, traditën dhe shkollën e Perëndimit. Z. Pacolli në Kosovë ka krijuar me mijëra vende pune, që ka ndikuar në rritjen e mirëqenies ekonomike në Kosovës dhe në zbutjen e papunësisë. Me një fjalë, z. Pacolli më shumë i dha Kosovës se sa që i mori.

– Z. Behgjet Pacolli, me hyrjen e tij në politikë ka sjellë një gjuhë, kulturë e shpirt unifikues. Çdo kush që ka përcjellë fushatën e tij ka parë që z. Pacolli ka pasuar një qasje pozitive. Fushatën e tij ai e ka bazuar në projekte konkrete, në zgjidhje konkrete me plane të qarta, e jo në sharje, fyerje e degradime të stilit ballkanas.

– Z. Behgejt Pacolli si deputet dhe opozitarë në Kuvendin e Kosovës, kë vënë gjithherë interesin e popullit të Kosovës para interesit të tij personal a partiak, duke u treguar si një institucionalist i vërtetë dhe jo si i tillë që e lë shtetin në baltë pse nuk është pjesë e pushtetit.

– Kontributi i z. Pacollit në arenën ndërkombëtare për përkrahjen e Kosovës është i jashtëzakonshëm, sidomos kjo është parë katërçipërisht pas shpalljes së pavarësisë, kur z. Pocolli nuk ka kursyer asgjë për të sjellë njohje për Kosovën, dhe rezultatet e tij në këtë fushë janë të prekshme dhe konkrete. Me gjithë mospërkrahjen dhe pengesat nga e MPJ e Kosovës, z. Pacolli, Kosovës i solli 24 njohje dhe tërë këtë aktivitet ka bërë me fonde të tij personale, e jo me kuletën e shtetit. Kjo tregon më së miri formatin prej burrështetasi të z. Pacollit në njërën anë, dhe në anën tjetër shpreh qartë, për ata që duan të kuptojnë dhe kanë arsye, për dashurinë dhe sakrifikimin e tij për vendin dhe popullin e tij.

Këto që u thanë më lartë dhe shumë të tjera që nuk u përmenden, e bëjnë z. Behgjet Pacollin si një personalitet shumë meritor, kredibil dhe të qëlluar për të qenë i pari i vendit.

Në fund shtrohet një pyetje e ligjshme dhe logjike: A thua shtypi sllav do të ishte marrë dhe do të kishte qenë kaq i alarmuar sikur zgjedhja e z. Pacollit për president të kishte qenë në favorin e tyre?!

Exit mobile version