Telegrafi

Një shtetas i Maqedonisë dëbohet nga Italia për lidhje me SHI-në

Autoritetet italiane kanë dëbuar një shtetas të Maqedonisë dhe një shtetas të Shqipërisë, për arsye sigurie, për shkak të dyshimeve se kanë lidhje me Shtetin Islamik, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Të dy kanë jetuar në qytetin e Barit dhe për një periudhë të gjatë janë ndjekur nga sektori kundër terrorizmit. Sipas hetimeve, të dy personat, shtetasi i Maqedonisë (36) dhe ai i Shqipërisë (27), nëpërmjet rrjeteve sociale kanë mbajtur kontakte me një shtetas maroken, të arrestuar paraprakisht për qëndrimet e tij për Shtetin Islamik.

Policia gjithashtu i ka dokumentuar edhe kontaktet dhe bisedimet që i kanë pasur me persona të tjerë – imamët ekstremë të arrestuar në Kosovë për lidhje me terrorizmin.

Në momentin e arrestimit te ata janë zbuluar edhe materiale propaganduese anti-semite, si dhe materiale kundër Perëndimit.

Të dy, në shoqërim të policisë, u dërguan në aeroport dhe u deportuan në vendet e tyre amë.

Sipas Ministrisë italiane të Punëve të Brendshme, që nga 1 janari i vitit 2015, deri tani 221 persona janë dëbuar nga territori italian, për shkak të rrezikut nga terrorizmi, prej të cilëve 83 këtë vit./Telegrafi/