Telegrafi

Një shqiptar në mesin e katër të arrestuarve për trafikimin e kokainës në vlerë prej 100 milionë eurove nga Brazili

Një shqiptar me inicialet B. A., një shtetas kroat, një italian e një brazilian janë katër personat e arrestuar nga Guardia di Finanza e Antidroga Italiane si përgjegjës për trafikimin nga Brazili në Itali të rreth 333 kilogramëve kokainë me vlerë tregu që kapërcen 100 milionë euro.

Autoritetet italiane kanë ekzekutuar operacionin e koduar “Samba 2020”, i cili ka çuar në shkatërrimin e një trafiku ndërkombëtar droge.

Kokaina është kapur në portin e La Spezia në një kontenier që vinte nga Brazili e që transportonte kuti druri që përmbanin pllaka graniti.

Kokainë ishte e konfeksionuar në 300 pako. Autoritetet italiane mbajtën në mbikëqyrje kontejnerin e drogës deri sa ai u transportua në një magazinë në afërsi të Massa Carrara ku arrestuan në flagrancë katër persona.

Të katër të arrestuarit mbërritën në magazinë për të tërhequr sasinë e drogës.

Operacioni “Samba 2020” u realizua në bashkëpunim me autoritetet e agjencisë së doganës së La Spezia e të Genovas. /Ora News/