Një shpërthim drite në një vrimë të zezë të sapoformuar rreth 2.4 miliardë vite dritë larg, goditi Tokën me një forcë të tillë saqë tronditi atmosferën e sipërme të planetit.
Shpërthimi i rrezeve gama GRB 221009A theu të gjitha rekordet kur u ndez në errësirën e hapësirës në tetor të vitit 2022 dhe u shpall shpërthimi më i ndritshëm hapësinor i regjistruar deri më tani.
Shkencëtarët më vonë zbuluan se kjo ngjarje ishte aq e fuqishme sa shkaktoi ndryshime të mëdha në fushën elektrike të jonosferës së Tokës, në një lartësi prej rreth 500 kilometrash.
“Në hulumtimin tonë, ne paraqesim prova të variacioneve në fushën elektrike jonosferike në një distancë prej rreth 500 kilometrash, të cilat u shkaktuan nga një emetim i fortë i rrezeve gama. Duke përdorur vëzhgimet satelitore dhe një model të ri analitik, ne ishim në gjendje të vërtetojmë se GRB 221009A ndikoi thellë në përçueshmërinë e jonosferës së Tokës, duke shkaktuar shqetësime të forta jo vetëm në jonosferën e poshtme, por edhe në atë të sipërme”, thonë ekspertët.
Rrezatimi gama është pjesa më intensive e spektrit elektromagnetik. Fotonet e rrezeve gama kanë nga një miliard deri në një trilion herë më shumë energji se fotonet në pjesën e dukshme të spektrit, dhe ato emetohen nga ngjarje me energji të lartë si supernova dhe hipernova, si dhe ngjarje më të vogla energjetike, siç janë ndezjet diellore, shkruan sciencealert.
Ky lloj rrezatimi nuk duhet të na shqetësojë në baza ditore, sepse atmosfera e Tokës e thith atë para se të arrijë në sipërfaqe. Por, ndonjëherë mund të ketë një ndërveprim me atmosferën. Në raste të rralla, shkencëtarët kanë regjistruar ndërveprimin e rrezeve gama ose X me jonosferën e poshtme të Tokës.
Jonosfera është një shtresë e atmosferës së Tokës që shtrihet midis 50 dhe 1000 kilometra lartësi, duke mbivendosur disa shtresa të tjera atmosferike. Quhet jonosferë sepse është rajoni ku rrezatimi ultravjollcë ekstrem dhe X i Diellit jonizon atomet dhe molekulat atmosferike, duke krijuar tufa elektronesh të lira.
Jonosfera reflekton valët e radios që ne përdorim për komunikim dhe lundrim. Kur ka një shpërthim të fortë rrezatimi, siç është një shpërthim diellor, ndryshimet ndodhin në jonosferën e poshtme.
Shkencëtarët raportojnë se zbulimi i GRB 221009A në tetor 2022 ishte aq i fuqishëm sa efektet e tij mund të krahasoheshin me ndezjet diellore.
Duke pasur parasysh që Dielli është 150 milionë kilometra larg nesh dhe se dritës së GRB 221009A i nevojiteshin 2.4 miliardë vite dritë për të arritur tek ne – atëherë mund ta merrni me mend se cila ishte forca e shpërthimit.
Pas analizimit të të dhënave satelitore, astrofizikani Mirko Piersanti nga Universiteti i L’Aquila dhe Instituti Kombëtar i Astrofizikës në Itali dhe kolegët e tij përcaktuan variacione të rëndësishme të fushës elektromagnetike në lartësi të mëdha jonosferike. Vetë ndezja e rrezeve gama zgjati rreth 7 minuta, por efekti në atmosferë zgjati rreth 10 orë. /Telegrafi/