Telegrafi

Një shpërthim pranë bazës ushtarake në Teheran të Iranit – publikohen detajet dhe pamjet

Autoritetet iraniane kanë filluar hetimet pas një shpërthimi në lindje të kryeqytetit pranë një lokacioni të lidhur me programin e testimit bërthamor të regjimit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një dritë e madhe u pa në qiellin e natës mbi Teheran, që mund të shihet edhe në imazhet e shpërndara gjerësisht në mediat sociale, njoftoi agjencia e lajmeve e Iranit, Fars.

“Në orët e para pas mesnatës së së premtes, një numër i përdoruesve të mediave sociale raportuan të shohin një dritë portokalli në pjesën lindore të Teheranit”, tha Fars.

“Në videot e dërguara nga (lexuesit tanë), kjo dritë shihet për disa sekonda”, raportoi agjencia, duke shtuar se po ndiqte çështjen me autoritetet përkatëse.

Fars tha më vonë se goditja u shkaktua nga “një shpërthim industrial i rezervuarit të gazit” pranë një objekti që i takonte ministrisë së mbrojtjes.

Shpërthimi duket se ka ardhur nga afër Parchin, një vend ushtarak.

Davud Abdi, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes, tha për TV shtetëror se zjarri u mor shpejt nën kontroll dhe se nuk pati viktima.

Fars përmendi një “burim të informuar” dhe këmbënguli se vendi i ngjarjes nuk ishte i lidhur me ushtrinë. /Telegrafi/