Telegrafi

Një shishe me një mesazh brenda gjendet pas 10 vjetësh në Australi

Një anëtare e një ekipi pastrimi plazhi në Australi gjeti një mesazh në një shishe që kishte qëndruar 10 vjet në ujë.

Ros Evans ishte bashkë me ekipin Beach Patrol 3280 në Warrnambool, Victoria, kur gjeti shishen plastike që përmbante një mesazh të shkruar nga një vajzë 8-vjeçare.

Në mesazh thuhej: “Unë quhem Ines Zepcan, dhe jam 8 vjeçe, kushdo që e gjen këtë shishe do të ketë fat për tërë jetën nga unë dhe familja ime”.

Evans ishte në gjendje të gjente Zepcanin tashmë 18-vjeçare në Instagram.

“E kam hedhur atë shishe në Portland, Victoria, saktësisht 10 vjet më pare”, tha Zapcan në një mesazh për Evans.

“Më vjen keq që nuk mundëm të dërgonim para së bashku me mesazhin, por jam shumë e lumtur që ju e keni gjetur, me të vërtetë ka sjellë shumë kujtime për mua dhe familjen time”.

Shisha ka udhëtuar rreth 80 kilometra në 10 vjet.

Vajza 18-vjeçare thotë se tani është më shumë në dijeni për ndotjen nga plastika në oqeane. /Telegrafi/