Katër burra janë arrestuar pasi një sasi kokaine prej 40 milionë funtesh është gjetur në një furgon në parkingun e një pijetoreje të fshatit East Yorkshire të Mbretërisë së Bashkuar.
Agjencia Kombëtare e Krimit tha se droga besohet të jetë sjellë në breg me një varkë pasi është transferuar nga një anije më e madhe në brigjet e Hull.
Bëhet e ditur se droga e gjetur ka një vlerë të mundshme prej 40 milionë paundëve dhe thuhet se do të ishte shitur në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Siç raportohet, në mesin e të arrestuarve janë një 22 vjeçar nga Argyll, një 32 vjeçar nga Oban, një 24 vjeçar nga Campbeltown dhe një 39 vjeçar nga Kolumbia, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
“Kjo është një sasi e konsiderueshme kokaine dhe sekuestrimi i saj do të jetë një goditje e konsiderueshme për grupin e krimit të organizuar që tentoi ta kontrabandonte atë”, tha hetuesi Alan French.
“Nuk ka dyshim se droga do të ishte shitur në mbarë Mbretërinë e Bashkuar, duke nxitur krimin dhe shfrytëzimin e mëtejshëm”, shtoi French.
Gjithashtu, hetuesi theksoi se janë të vendosur të bëjnë gjithçka që munden për të penguar aktivitetin kriminal dhe për të mbrojtur sigurinë kufitare të Mbretërisë së Bashkuar, andaj hetimet do të vazhdojnë.
Operacioni është mbështetur nga Policia e Humberside, Yorkshire dhe Njësia Rajonale e Krimit të Organizuar Humber dhe Forca Kufitare.
Ndryshe, në shkurt një dërgesë prej 450 milionë paund kokainë është gjetur në portin Southampton. /Telegrafi/