Në hapje të mbledhjes së qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se ky vit ka qenë vit i sukseseve të mëdha të Kosovës, vit i vendimeve historike dhe i kurorëzimit të aspiratave shekullore të popullit të Kosovës, vit i Kushtetutës moderne, vit i njohjeve të mëdha të Kosovës.
“Ky është vit i instalimit të qeverisjes së mirë, investimeve të mëdha dhe i funksionalizimit të sundimit të ligjit”, ka vlerësuar ai.
Në mbledhjen e 48 të Qeverisës së Kosovës u diskutua dhe më pas u miratua nisma e Ministrisë së Arsimit, për kthimin e trurit në Kosovë me emrin “Skema e Fondit të Trurit”.
Qeveria e Kosovës ka identifikuar nevojën për përmirësim të punësimit me personel që posedon kualifikime të larta, deficitare për shërbimin publik, u tha me këtë rast. Për këtë qëllim për vitin 2009 Qeveria ka ndarë një fond prej 1 milion euro.
Po ashtu kabineti qeveritar ka miratuar Strategjinë për integrimin e komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptas në Republikën e Kosovës 2009-2015 dhe Strategjinë kundër korrupsionit. /Telegrafi/