Nga: Meritan Spahija (parathënia e botimit të ri të veprës “Komedia hyjnore – Ferri”, Florentia, Shkodër 2019)
Qysh kur nuk mbaj mend, shumë herët due me thanë, një prej kënaqësive të mia ma të mëdha, ishte me shkue te daja… Fort herët, kjo kënaqësi, motivohej nga përkëdhelitë e gjyshes ndaj meje. Sa shkoja atje, a për festa, a të shtunave, a për pushime verore, njeriu i parë që takoja ishte gjyshja. Si më përqafonte, më thoshte:
– Shih ça t’kam ruejt…
Dhe nxirrte nga qesja e saj, që e fshehte në një vend sekret dhe shumë të dashtun për mue, një grusht me sheqera (me këtë ajo donte me thanë karamele), ndonjë fik të thatë a ndonjë kumbull. Nuk di me e përshkrue lumtuninë që ndjeja kur shkoja atje, jo se isha nipi i vetëm, por se isha i rrethuem me dashninë e saj…
Mandej, kur u rrita paksa, jo se më mungonin sheqerat a kumbullat, por ishte edhe diçka tjetër që më tërhiqte atje: oborri i madh… Te muri, që ndante shtëpinë nga ajo e fqinjve, e deri diku pranë pusit (që ma vonë kam mësue se ishte i stilit venecian), banim portat… Në këtë periudhë të fëminisë time, mbaj mend se kur shkoja atje, me të takue gjyshen, që më futte ndonjë kumbull në xhep, shkoja me thirrë shokët. Se banim zhurmë, a se thyenim ndonjë saksi, aspak nuk na bahej vonë. Por, çfarë kisha vu re ishte se, gjithnjë e ma shpesh, sa herë që shkoja, daja i vogël i thoshte të madhit:
– Erdhi ky!
Mbas do vitesh, tue u rritë, të tjera motive u shtoheshin të hershmeve.
Në atë shtëpi të madhe, që ishte një labirint i vërtetë dhomash dhe koridoresh, kishte një dhomë që rrinte gjithmonë e mbyllun dhe, kur rrallë ndonjëherë e gjeja hapë, shihja se ishte gjysëm e ndriçueme, gja që më krijonte një ndjenjë frike fillimisht, mandej, me kalimin e kohës, kurreshti të madhe…
Gjithashtu kishte edhe një dhomë tjetër, që asgja të përbashkët nuk kishte me të parën. Gjendej në trapazan. Ngjitja shkallët që të çonin në katin e sipërm të shtëpisë dhe, sapo baja dy a tre hapa, gjendesha, jo si në shtëpinë time, por si në mbretninë time. Mes trarëve që mbanin çatinë, ishte krijue një kthinë, nuk e di se prej kujt a se kur, që mue më dukej shumë e rehatshme. Nuk kishte aty asnjë miradi, që me e ba ndejen komode. Kishte vazhdimisht pluhun dhe muret, nuk ishin të lyeme me gëlqere, por të veshuna me gazeta të vjetra. Tash që e kujtoj, bahem shumë kurreshtar me pyet se pse muret ishin të veshuna me gazetë. Por ajo që me çudit ma fort, asht se, sa kam kenë i vogël, e mandej adoleshent, pse nuk kam pyet kurr për një gja të tillë. Tash, nuk kam kë të pyes ma… Gjithsesi, hyja mbrendë, menjëherë drejtohesha tek dritarja dhe… shihja jashtë. Ishte një mrekulli me qëndrue atje. Muret e trasha, si prej kështjelle, banin të mundun që të ulesha në pragun e dritares, të mbështetesha në muret anësore të saj dhe të shikoja jashtë. Çfarë shihja, nuk ishte aspak e randësishme, por çfarë përjetoja më thërritte vazhdimisht atje. Çka e bante ndejen një aventurë, ishin dylbitë e vjetra të gjyshit, i cili kishte vdekë para se të lindja unë. Kur kam shkue për herë të parë atje, arrija me i shtri kambët në gjatësinë e pragut të saj. Flladi veror ma rrahte fytyrën, tue më dhanë një ndjesi qetësie dhe lumtunie. Sa ma shumë që kalonin vitet, aq ma të gjata e të shpeshta baheshin ndejet e mia në atë dhomë, aq sa, kur ndokush kujtohej për mue dhe pyeste se ku mund të gjendesha, merrte këtë përgjigje:
– Asht në trapazan!
E vetmja gja që, jo se më shqetësonte, por se diku në pavetëdije më jepte turbull ndjesinë e shkurtimit të një kohe që po mbaron, ishte se, gjithnjë e ma shumë, kambët e mia, nga maksimalisht të shtrime në pragun e asaj dritareje si prej kështjelle, përtheheshin gjithnjë e ma tepër…
***
Një ditë, ndërsa po rrija në trapazan, i ulun në dritaren time, me gjujt paksa të përthyem e dylbitë e drejtueme diku në periferitë e qytetit, dëgjoj kambë në shkallën prej druni. Kthej kryet dhe shoh dajën e madh.
– Eja mbas meje.
U ngrita menjëherë dhe i shkova mbrapa. Zbritëm shkallët, kaluem koridorin, në fundin e të cilit ishte një arkapi që ndante dy pjesët e shtëpisë, hapëm derën dhe u gjendëm në koridorin që të çonte tek… dhoma e mbyllun. Shtyu me ngadalë, si me solemnitet, derën e saj dhe u gjendëm mbredë. Një herë në fillim, për shkak të errësinës, por ma fort sepse po vinim nga një vend me ma shumë dritë, asgja nuk dallova e dhoma ngjante në terr të plotë. Mandej, si kaluen pak sekonda, dallova mbrendinë e saj, që s’e kisha pa asnjëherë. Çfarë pashë ishte se faqet e asaj dhome ishin të veshuna me rafte, rafte pa fund librash. Daja, i cili më kishte kapë për krahu dhe dukej se më shtynte herë mbas herë e më nxitte me ba përpara, po më shoqnonte nga njeni raft në tjetrin, sikur ky të ishte një ritual që unë patjetër duhet ta përmbushja, që të mund të isha pjesë e klanit.
– Nëse ke dëshirë me lexue ndonjë libër, mund të vish.
Pjesë e klanit ishte të mund të hyja këtu e të merrja një libër, ta lexoja, ta vija prap në vendin e vet e vetëm atëherë mund të merrja një tjetër. Kushtet e anëtarësimit ishin shumë të realizueshme. Por kjo nuk ishte gjithçka. Daja, tue pasë parasysh moshën time të re, vuni edhe një kusht tjetër: sa herë të merrja një libër për ta lexue, duhet t’ia tregoja atij, nëse ishte a jo i përshtatshëm për mue. As kjo nuk ishte e parealizueshme. Si fillim, më zgjodhi ai një libër. E mora. Dolëm të dy prej aty dhe unë u drejtova… në trapazan. Tashma, për sa rrija aty, tanë kohën, deri në harrim, e kaloja tue lexue. Qysh nga ajo ditë, atë dhomën e mbyllun dhe gjysëm të errët, e kam quejtë Dhoma e librave.
***
Sa herë mbaroja së lexuemi një libër, më kapte një nostalgji e madhe. Nuk më bahej me e heqë dore. E rihapja librin në pjesë të ndryshme dhe rilexoja fragmente a faqe të tana. Mandej diku tjetër. E gjitha çka, ishte e ngjashme me ndamjen e dy personave në stacionin e trenit. Rroken e përqafohen pa mbarim, por së fundi vjen ai çast që njeni duhet të hypë në tren. Nuk ke si ia ban ndryshe. Pashmangshëm ndodhte kjo edhe me mue. Vinte momenti për të mbyllë librin përfundimisht. Zgjatja e çastit të ndarjes nuk funksionon pa mbarim.
Sapo kisha mbarue së lexuemi Kontin. Mbasi kisha rilexue, vende-vende, edhe kapituj të tanë, kishte ardhë çasti i ndamjes. U ngrita. Mora katër vëllimet në dorë. Ishte e pamundun që, në një fazë të tillë ndamjeje, të mungonte një prej tyne. U drejtova në dhomën e librave. I vendosa në vendin e tyne. I vendosa me një vendosmëni të tillë, si udhëtari vendos t’i kthejë shpinën përcjellësit, nga i cili asht nda përmall.
Mbasi kisha përcjellë një, tash vinte tjetri çasht i vështirë. Kë të zgjidhja?! Nuk ishte punë kaq e lehtë, sepse, qëllonte që, mbasi kisha zgjedhë një, e jo rastësisht, por si kisha lexue do rreshta, a të librit, a të parathanies së tij, ta merrja, të shkoja te kryetari i klanit e t’ia tregoja… E ai, mbasi i hidhte një sy, mund të thoshte:
– Nuk asht për ty!
Dhe gjithçka fillonte prej fillimit.
Po sillesha në dhomë. Kë të merrja? Mora një. E lashë në vend. Mora një tjetër. Prap. Bana para. Diku pranë Iliadës, pashë një tjetër. E mora. Lexova titullin: La divina commedia. Titulli nuk më thoshte asgja. Dante Alighieri. As autori. E hapa dhe lexova këtë:
Nel mezzo del cammin di nostra vita
mi ritrovai per una selva oscura,
ché la diritta via era smarrita.
Në mënyrë krejtsisht intuitive e si të kisha lexue një parathanie, trupin ma përshkoi një e përqethun. I hodha edhe një sy vargjeve në vazhdim:
Ahi quanto a dir qual era è cosa dura
esta selva selvaggia e aspra e forte
che nel pensier rinova la paura!
Një valë tjetër të rrënqethunash…
Tant’ è amara che poco è più morte;
ma per trattar del ben ch’i’ vi trovai,
dirò de l’altre cose ch’i’ v’ho scorte…
Çfarë ka pa e përjetue ky qyqar sa, veç vdekja i asht dukë paksa ma e ithët?! Mbylla librin dhe u drejtova menjëherë në trapazan për t’u zhytë në të, jo një javë, apo dy, apo një muej. Jo! As për ta lexue e rilexue, derisa ta mbyllja një ditë e të thosha: Unë, këtë libër, e kam lexue. Jo! Në padituninë time, në rininë time paraadoleshente, tue mos kuptue shumë gjana, por si në mënyrë providenciale, kisha hapë një libër që nuk do ta mbyllja asnjëherë përgjatë jetës… Në atë çast, në atë dhomë librash e gjysëm të errët, nuk kisha hapë një libër, por shkëndijën që do t’u jepte zjarr pasioneve të mia.
Asht e kotë e pa vlerë të përshkruej çfarë kam përjetue mbasi lexova do vargje, tercina a kangë. Asht e kotë të them se çfarë ka ndodhë me mue kur e kam lexue së pari. Po aq sa asht e pavlerë me tregue se ç’kam përjetue kur e kam lexue së fundmit, që kurrsesi nuk do të jetë e fundit herë. Por ajo që më çuditë sot, asht se pse e çfarë ma ka tërheqë vemendjen apo kurreshtjen në ato pak vargje. Ç’dija unë për domethanien e tyne, a simbolikën e tyne, që të përpihesha i tani, aq i ri e aq gjatë?!
Tue mos mundë me i dhanë kurrsesi vedit një përgjigje bindëse, sepse një gja e tillë tash ka fillue me më lodhë, kam mësue me ia lanë këtë gja në dorë Providencës: një Zot e din!
Ashtu siç thashë edhe ma nalt, asht krejt e kotë të hysh e të bash një analizë teksi a me përmendë vlerat e tij, sepse thjesht nuk asht qëllimi ky. Asht e kotë të analizosh personazhet a mesazhet që na vijnë përmes tyne, mitet apo bashkohësit e poetit, asht e kotë të flas këtu për Françeskën, Çakon, Brunet Latinin, Farinatën, Kavalkante Kavalkantin, që në mjerimin e tij të Ferrit, vajtonte për të birin që mendonte se asht i vdekun; asht e kotë të zgjatesh e të flasësh për çentaurin Kiron, Kapaneun, Uliksin që sakrifikoi gjithçka për shkak të ditunisë. Por ajo që mundem me thanë asht se, në atë moshë të re, kaq i brizhtë, kaq i paformuem, kaq i paditun, kisha gjetë Danten. Kisha gjetë njeriun që kryqëzoi e mpiu kohën e tij, njeriun që u rebelue publikisht e paditi dogmat që prodhonin shterpësi, mediokritet e, në mënyrë të pashmangshme, hipokrizi; kisha gjetë njeriun që u ba shkak i një zgjimi shpirtnor e intelektual, referencë kryesore e gjithhershme, jo veç për kohën e tij. Kisha gjetë atë që, me luftën që u shpalli falsiteteve, ishte shndërrue ne një prej shkëndijave që ndezën Rilindjen.
Dhe Rilindja nuk mund të ndizej pa dhimbë. Duhej një i çmendun a një grup të çmendunish të paditnin e jo vetëm, por të vinin gishtin në plagë, me dyshim e mosbesim ndaj dogmave boshe, tue i thye ato e tue i hapë kështu rrugë racionalizmit e ditunisë, tue e zhdavaritë mjegullën e paditunisë që sundon e tue e dërrmue hipokrizinë servile. Duheshin do burra të goditnin me shpatën si vetimë në pjesët e kalbuna të qytetnimit, të cilat shkaktonin dhimbë, por projektonin pashmangshëm shërim. Rilindja nuk mund të vinte me mediokritete, me frikacakë e tullumbace të frymë nga hipokrizia e paaftësisë. Zgjimi i qytetnimit perëndimor, zgjimi i nacioneve duhej të vinte nga burra si Dante, të cilët nuk u frikësuen as nga shpata, as nga përndjekja e as nga vdekja e llojit turrë drush. Zgjimi duhej të vinte nga burra që thonin fjalën e tyne, edhe se kjo kushtonte; zgjimi duhej të vinte nga burra që paditnin fisnikë, papë e profetë të rremë, pa dallim, doxhë e parë, pikërisht ashtu siç erdhi…
Se Rilindja së fundmi asht pikturë, a skulpturë, a arkitekturë, por së pari asht çlirim i mendimit, thyemje vargojsh, dalje nga kallepët e neveritshëm të dogmave mistike, që imponojnë për të vërtetë atë çka skllavnon e ndrydh fjalën. Rilindje asht me ba fillimisht, një herë vetvedit, e mandej të tjerëve, një pyetje të thjeshtë: Pse?! Pse-në e famshme që çliron argumentin, Pse-në që hapë rrugën e mendimit, Pse-në që shemb barrierat e padijes, Pse-në që kushton shtrenjtë, por që e ban diellin ma të shndritshëm… Shkak tue gjetë në motive të tilla, Dante ishte ndër të parët që u divorcue me Mesjetën…
Kështu, shumë heret, kur sapo kisha hy në pyllin e ashpër të kësaj jete, ashtu siç atij, pa dashjen e tij, i asht shfaqë Virgjili për ta nxjerrë nga bota e të vdekunve, ashtu unë, pa dashjen time, kisha gjetë njeriun e përshtatshëm për të më futë në botën e poetëve.
Mbas kaq shumë vitesh, mbasi shumë burra nuk janë ma në këtë botë e mbasi shumë vende kanë mbetë bosh në jetën time, me solemnitet rrefej se ky asht libri i vetëm të cilin e kam lexue pa leje. /Revista “Palimpsest”/