Një rast i dyshimtë me Lijën e Majmunit është në Kosovë, ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë kanë njoftuar se po bëhet mbikëqyrja epidemiologjike e pacientit dhe rasteve të tij të kontaktit.
MSH njofton se pacienti 69 vjeçar për momentin është në izolim, i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK, ndërsa gjendja e tij është stabile, raporton Telegrafi.
“Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht, Instituti Kombëtar Shëndetësisë Publike të Kosovës, më datë 03 qershor 2022 në ora 17:41, nga Klinika Infektive, QKUK, ka pranuar një raportim për një rast të dyshimtë me Lijën e majmunëve (Monkeypox). Pacienti është mashkull, i lindur më 1953 nga komuna e Dragashit.
Është i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK më datën 03/06/2022 dhe i është marrë mostër nga ndryshimi lëkuror dhe do të dërgohet për analiza laboratorike. Gjendja e pacientit është stabile”, bën të ditur MSH.
Sipas Ministrisë, po vazhdon mbikëqyrja epidemiologjike e pacientit dhe gjurmimi i kontakteve.
“Mostra do të dërgohet në laboratorin referent të OBSh në Holandë, presim edhe rezultatet laboratorike deri në diagnozën përfundimtare sipas kritereve të parapara. Pacienti është në izolim, i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK”, bën të ditur Ministria e Shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK, njofton qytetarët e Republikës së Kosovës, se për çdo informatë të re opinioni publik do të informohet në kohë reale, dhe se situata është e qetë dhe stabile. /Telegrafi/