Telegrafi

Një rajon spanjoll ndalon pirjen e duhanit pas shqetësimeve për coronavirus

Rajoni spanjoll, Galicia, ka ndaluar pirjen e duhanit në hapësira publike pas shqetësimeve se rrit rrezikun për përhapje të coronavirusit.

Autoritetet kanë vënë njoftime për këtë ndalesë nëpër rrugë dhe hapësira publike, siç janë restorantet dhe baret, nëse masat për distancim fizik nuk mund të zbatohen.

Ky rajon veriperëndimor është i pari që prezanton masa të tilla, ndonëse pritet që edhe rajonet tjera ta përcjellin ndërkohë, transmeton BBC.

Vendimi vjen meqë Spanja është prekur më së keqi në Evropën Perëndimore nga coronavirusi i ri.

Numri i rasteve të reja është rritur nga më pak se 150 në muajin qershor, në më shumë se 1,500 përgjatë muajit gusht.

Ky shtet ka regjistruar 1,690 raste të reja me coronavirus vetëm të mërkurën, duke e çuar numrin total të të prekurve me sëmundjen COVID-19, që shkakton coronavirusi në pothuajse 330,000.

Vendimi i Galicias është mbështetur nga një projekt kërkimor i Ministrisë së Shëndetësisë atje, i publikuar muajin e kaluar, i cili ka theksuar lidhjen në mes të pirjes së duhanit dhe rritjes së përhapjes së coronavirusit.

Aty është thënë se rreziku rritet pasi njerëzit lëshojnë stërpika – potencialisht edhe coronavirusin – derisa pijnë duhan.

Aty është thënë edhe se duhanpirësit rrezikojnë përhapjen e coronavirusit edhe duke prekur cigaren përpara se ta pijnë apo duke mbajtur maska dhe duke vendosur apo hequr atë disa herë gjatë procesit të duhanpirjes.

Masa të ngjashme janë marrë gjithandej, përfshirë Afrikën e Jugut, ku shitja e cigare është ndaluar në fund të muajit mars.

Vendimi është arsyetuar me këshillat e dhëna nga ekspertët shëndetësorë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. /REL/