Një qen nga Italia fitoi çmimin e përgjithshëm në Crufts, ekspozita më e madhe në botë e qenve, të dielën.
Miuccia, që është 4 vjeç, u bë qeni i parë italian që fitoi çmimin e lakmuar Best in Show në eventin në Birmingham, Angli, përcjell Telegrafi.
Ky vlerësim e la mbajtësin e saj, Giovanni Liguori, të mbytur nga emocionet.
“Është vërtet një ëndërr e realizuar, jam vërtet i tronditur. Miuccia bëri më të mirën, e ndjeva shumë të relaksuar në zinxhir, kështu që jam super, super i lumtur”, tha Liguori.
Miuccia u bë qeni i katërt që fitoi çmimin dhe mposhti konkurrencën nga më shumë se 18,000 qen të mbledhur në Qendrën Kombëtare të Ekspozitave të Birminghamit për katër ditë garash.
Një qen tibetian nga Rumania i quajtur Viking përfundoi në vendin e dytë, duke u bërë i pari i racës së tij që arriti në atë fazë të konkursit. /Telegrafi/