Përfaqësuesja e Kosovës do ta ketë një ‘armë’ shtesë për dy ndeshjet e shtatorit.
Mesfushori i talentuar kosovar, Florent Muslija ka pranuar përfundimisht ta bartë fanellën e Kosovës.
Muslija që nga muaji shtator pritet të grumbullohet dhe do të jetë i gatshëm për trajnerin Bernard Challandes për ndeshjet ndaj Çekisë dhe Anglisë.
20-vjeçari që luan për skuadrën e njohur gjermane Hannover 96, ka firmosur një dokument që tregon se do të jetë pjesë e Përfaqësueses A që nga muaji shtator.
“Unë Florent Muslija zotohem se nga grumbullimi i ardhshëm i Kombëtares së Kosovës në futboll në shtator do të jem pjesë e ekipit dhe me nder e krenari do të barti fanellën e Kosovës”, thuhet në dokumentin e nënshkruar nga Florent Muslija dhe kryetari i FFK-së, Agim Ademi.
Muslija kësisoj ka pranuar ta lë Përfaqësuesen e Gjermanisë U20 dhe tani e tutje do të jetë pjesë e Kosovës.
Përveç kryetarit Ademi në takim së bashku me futbollistin kanë qenë edhe sekretari Eroll Salihu si dhe menaxheri Bes Zeneli. /Telegrafi/