Telegrafi

Një prokuror paraguaian antimafi është vrarë derisa ishte në muajin e mjaltit në Kolumbi – gruaja e tij rrëfen se si ndodhi ngjarja

Një prokuror i profilit të lartë i Paraguait që luftoi kundër krimit të organizuar në vendin e tij është qëlluar për vdekje gjatë muajit të mjaltit në Kolumbi.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Marcelo Pecci ishte në një plazh në ishullin turistik Baru kur u vra nga dy persona të armatosur.

Disa orë para të shtënave, gruaja e Peccit kishte njoftuar në Instagram se ishte shtatzënë.

Presidenti i Paraguait, Mario Abdo Benitez i përshkroi të shtënat si një “vrasje frikacake”.

Gruaja e Peccit, gazetarja Claudia Aguilera, tha se dy burra iu afruan në një plazh privat përpara se burri i saj të qëllohej.

Ajo tha se nuk kishte marrë asnjë kërcënim.

“Dy burra sulmuan Marcelo. Ata erdhën me një varkë të vogël ose me një ski jet, e vërteta është që nuk e pashë mirë”, tha zonja Aguilera për gazetën El Tiempo.

Një nga sulmuesit doli dhe “pa thënë asnjë fjalë qëlloi dy herë Marcelon, një [plumb] e goditi në fytyrë dhe një tjetër në shpinë”, ka rrëfyer ajo.

Hoteli Decameron, ku çifti po qëndronte, tha në një deklaratë se “vrasësit mbërritën në plazh… dhe sulmuan dhe vranë një nga mysafirët tanë”.

Prokurori paraguaian Augusto Salas, një koleg i zotit Pecci, tha se sulmi dukej “tipik i mafies [të drogës], dhe kështu unë do të mendoj deri sa të vërtetohet e kundërta”.

Sipas mediave, kreu i policisë kolumbiane dhe hetuesit nga Paraguai kanë shkuar në vendin e vrasjes.

Zyrtarët nga Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë gjithashtu hetimin, tha shefi i policisë kombëtare të Kolumbisë, gjenerali Jorge Luis Vargas.

Pecci ishte i specializuar në krimin e organizuar, trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe financimin e terrorit. /Telegrafi/