Site icon Telegrafi

“Një projekt thellësisht emocionues në Kosovë” – vizitat e ministrit gjerman Oezdemir në korporatën bujqësore “Krusha”, te vreshtarët e verëtarët 

Ministri gjerman i Ushqimit dhe Bujqësisë, Cem Oezdemir të mërkurën ishte për vizitë në Kosovë, ndërkaq përveç takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe homologun e tij, Faton Peci, ai ishte për vizitë në komunën e Rahovecit ku i vizitoi disa kompani.

Ministri Oezdemir ishte në Rahovec, ku vizitoi vreshtarë, verëtarë, pastaj vizitë bëri edhe në kooperativën bujqësore “Krusha”.

Lidhur me këto vizita ka shkruar Ministria e Ushqimit dhe Bujqësisë e Gjermanisë.

Për vizitën e ministrit Ozdemir në korporatën bujqësore “Krusha”, kjo ministri në një postim në X e quan projekt thellësisht emocionues.

“Një projekt thellësisht emocionues në Kosovë: Ministri Cem Oezdemir mysafir në një kooperativë të grave, të veja të luftës. Anëtaret prodhojnë perime dhe specialitetin kombëtar Ajvar – produktet eksportohen edhe në Gjermani”, shkruan kjo ministri.


Po ashtu, ministri gjerman gjatë vizitës në Kosovë ka vizituar edhe vreshtarët.

“Vreshtaria në këtë rajon luan një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës. Ne e kemi mbështetur për shumë vite si pjesë e dialogut për politikat bujqësore”, thuhet në postimin e Ministrisë gjermane për ushqim dhe bujqësi.


Lidhur me këto vizita ka shkruar edhe ministri i Bujqësisë i Republikës së Kosovës, Faton Peci.

“Gjatë ditës, vizituam vreshtarë e verëtarë në Komunën e Rahovecit si dhe patëm një takim të frytshëm e prekës me gratë fermere në Kooperativën Bujqësore “Krusha”.

Falë punës së vyer, prodhimet bujqësore të Republikës së Kosovës, që nga perimet e deri tek vera, me lehtësi i gjen në vendet e Bashkimit Evropian”, shkroi ndër të tjera të mërkurën ministri Peci. /Telegrafi/

Exit mobile version