Site icon Telegrafi

Një profesionist si LeBron James, ylli amerikan ia ka ndaluar djalit të tij ta thërrasë ‘baba’ tek Lakers

Një prej basketbollistëve më të mirë në botë, LeBron James, ka vendosur disa rregulla për djalin e tij Bronny, me të cilin sezonin e ardhshëm do të luajë së bashku në Los Angeles Lakers.

Ai e ndaloi pasardhësin e tij që gjatë aktiviteteve profesionale t’i drejtohej me “baba” duke theksuar nevojën për një qasje tjetër në fushë.

Jashtë sallës së stërvitjes, marrëdhënia e tyre babë e bir vazhdon normalisht, por në punë Bronny duhet të përdorë emra të tjerë.

“Ai nuk mund të më thërrasë ‘baba’ në punë, por kur largohemi nga dhoma e stërvitjes dhe mbyllen portat, unë mund të jem përsëri ‘baba’ në makinë nëse jemi duke vozitur së bashku në shtëpi”, ka thënë James fillimisht.

“Por në fushë ai duhet të më thërrasë me një emër tjetër, për shembull ‘23’, ‘Bron’ apo edhe ‘GOAT’ nëse dëshiron”, shtoi ai.

James dëshiron të krijojë një mjedis profesional ku të dy mund të fokusohen në rolet e tyre pa kompleksitetin e shtuar të marrëdhënieve të tyre familjare.

“Është e lehtë për mua sepse e kam quajtur Bronny gjatë gjithë jetës sime, por do të jetë një ndryshim për të”.

“Nuk mund ta bëjmë atë të vrapojë në fushë duke bërtitur ‘Babi, më jep topin, unë jam i hapur’. Kjo nuk do të funksionojë”, përfundoi 39-vjeçari./Telegrafi/

Exit mobile version