Site icon Telegrafi

Një Prizren ndryshe për festat e fundvitit: Dekorimet që mahnitin vizitorët (Foto)

Festat e fundvitit po e përcjellin qytetin e Prizrenit me një dekorim unikat artistik, që nuk është parë deri më tani. 

Dekorimi i qytetit përcjell tek qytetarët një mesazh të veçantë me moton “T’i gëzohemi shumëllojshmërisë, t’i gëzohemi jetës”.

Figurat e ndritshme që vallëzojnë, të ilustruara në teknikën e artistit të famshëm Pablo Picasso, i gëzohen jetës dhe shumëllojshmërisë së saj. Ato festojnë prezencën e çdo gjëje që frymon.

Elementet ndriçuese që dominojnë janë yjet dhe siluetat që vallëzojnë dhe dërgojnë mesazhin e “Dashurisë, optimizmit, gëzimit e lumturisë”, të cilat janë thelbi i jetës së secilit prej nesh.

Foto: Samir Karahoda

Derisa ne vallëzojmë vallen e jetës, yjet sipër nesh, si burim i pashtershëm i energjisë, ndriçojnë ditët e netët tona pa pushim, duke na bashkuar të gjithëve nën qiellin e pafund.

Kjo ju ka pëlqyer edhe qytetarëve dhe vizitorëve që këto ditë kanë qëndruar në qytetin e bukur të Prizrenit.

“Kam vizituar qytetin këto ditë dhe kam mbetur i fasionuar me dekorimin. Këtë gjë nuk e kam parë deri më tani në vendet tjera. Më pëlqeu ideja e siluetave vallëzuese dhe mesazhi që përshkroi që nuk duhet të kemi diferenca edhe pse jemi të ndryshëm”, ka thënë për Telegrafin, Kreshnik Bunjaku, i cili kishte ardhur enkas nga qyteti i Vushtrrisë.

“Më pëlqen se si duket këtë vit qyteti. Dekorime të papara deri më tani. Kjo është më ndryshe se vendet e tjera që kam vizituar në Kosovë. Ju përgëzoj për idenë dhe kreativitetin. Do të doja të dekorohej edhe qyteti im i Pejës, por shpresoj se do të ndodh gjatë vitit të ardhshëm”, ka thënë Era Mujaj.

Foto: Samir Karahoda

Të gjitha elementet e këtij instilacioni janë të punuara në vend dhe përbehen nga dy materiale themelore, nga shufrat metalike dhe kabllot ndriçuese. Kjo strategji ka për baze idenë e reciklimit të materialeve dhe ripërdorimit te tyre. Konkretisht në rastin e Prizrenit, metali i përpunuar mund të ripërpunohet dhe të krijojë forma të reja për instilacione të ardhshme.

“Më pëlqen ideja që këto instalacione janë bërë me materiale riprodhuese. Qytet ka fituar një pamje të bukur dhe i përgëzoj ideatorët. Më bënë të ndihem mirë si qytetar i Prizrenit, I ftoj të gjithë ta vizitojnë qytetin tonë”, ka thënë Dardan Cakaj.

Pos këtyre gjërave në qytet mbretëron edhe atmosferë e këndshme në saje të dekorimeve të lokaleve.

Këto të fundit kanë përgatitur edhe ndeja me muzikë live gjatë dy ditëve të vitit të ri, gjegjësisht më 1 dhe 2 janar. /Telegrafi/

Foto: Samir Karahoda
Foto: Samir Karahoda
Foto: Petrit Çollaku

 

Foto: Petrit Çollaku

 

Foto: Petrit Çollaku

 

 

Exit mobile version