Telegrafi

Një prej vendeve me më së shumti të vaksinuar në botë në hall të madh, numri i rasteve të reja me COVID-19 në Portugali rritet dukshëm

Portugalia, një prej vendeve me përqindjen më të lartë të vaksinimit të popullsisë në botë, është duke shqyrtuar masat e kufizimit për ta luftuar përhapjen e mëtejme të pandemisë së COVID-19, kjo për shkak se nga fillimi i vitit të ri shkollor është rritur dukshëm numri i rasteve të reja me coronavirus.

“Duhet përcaktuar masat e nevojshme për të parandaluar rritjen e numrit të infektuarve”, tha zëdhënësja e qeverisë Mariana Vijeira da Silva gjatë një konference për media në Lisbonë, transmeton Telegrafi.

“Nuk parashohim masa drastike siç ishin aplikuar ato më herët, pasi që qytetarët tani janë më të mbrojtur, në veçanti për shkak të numrit të madh të vaksinuarve”, ka precizuar ajo.

Në anën tjetër, presidenti Marcelo Rebelo de Susa, ka vlerësuar të martën mbrëma se është e pashmangshme bartja e maskave edhe në ambiente të hapura.

Kjo masë ishte vënë në tetor të vitit të kaluar, por ishte hequr më 13 shtator. Bartja e maskës akoma rekomandohet në tubime, ku është e pamundur të respektohet masa e distancës fizike.

Portugalia të mërkurën ka regjistruar rekord të ri me 2.527 raste të reja – duke tejkaluar shifrën e të hospitalizuarve që tani shkon në 500 – që është një rekord tjetër nga shtatori.

Kryeministri Antonio Kosta, ka njoftuar se vendi do të mund të ballafaqohej sërish me disa masa – në veçanti në prag të festave të fundvitit.

“Duhet të veprojmë menjëherë, sa më vonë që fillojmë, do të ketë më shumë rrezik”, ka paralajmëruar ai – duke hedhur poshtë mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme që ishte në fuqi për gjashtë muaj.

Megjithatë, autoritetet akoma po u bëjnë thirrje personave mbi 65-vjeq që të vaksinohen me dozën e tretë. Mbi 86 për qind e popullatës është vaksinuar me dy doza, kështu që ata po konsiderojnë se nuk po kanë “kënd” të vaksinojnë.

Me një popullatë prej 10 milionë, Portugalia nga fillimi i pandemisë ka pasur mbi 1,1 milion të infektuar dhe 18.283 të vdekur. /Telegrafi/