Site icon Telegrafi

Një popull adoleshent

Me ekonominë nuk është se kemi pasur najfarë shoqnie. Kemi pasur simpati, ashtu nga larg, por jo më shumë. Pak herë na ka rënë të rrimë, të flasim e të përpiqemi të afrohemi, por pa sukses. Më është dukur e mirë, me hire, bukur e thellë, e kompletuar dhe e sigurt në vetvete. Kur përpiqesha t’i afrohesha, më shmangte, më anashkalonte, më ikte. Me pak fjalë: unë i thjeshtë, ajo e komplikuar; unë më modest; ajo më ambicioze, gati arrogante; mbetëm të huaj për njëri-tjetrin. U larguam, u alienuam. Shpesh përballemi, shikohemi shkurt, por të shkujdesur e pa ndonjë përshtypje të thellë, veç çuditërisht jo pa një trishtim e shmangim, e injorojmë njëri-tjetrin.

Megjithatë, nisur nga mendja e shëndoshë, nga disa informata e dije bazike, e di se kriptovalutat si Bitcoin-i (e di se ka edhe shumë të tjera, por për lehtësi, po e përdorim këtë si emër përmbledhës), është një mashtrim. Një mashtrim i radhës, një piramidë, një skemë Ponzi moderne, një balonë alla-Madoff. Një balonë që do të shpërthejë, herëdokur. Sot, ndoshta, apo nesër, pasnesër, nuk e di. Por, jam i bindur – aq sa mund të jetë i bindur njeriu, pa e studiuar një çështje – se Bitcoin-i si piramidë moderne nuk mund të ketë jetë të gjatë. Por, nuk desha të zgjatem shumë me këtë.

Çështja për të cilën dua të flas është pak anash kësaj. Sikur shumë popuj, për shkak të globalizmit dhe mjeteve të komunikimit, sikur tërë njerëzimi, Bitcoin-i është një eufori, një temë ditore, një ethe që ka kapluar qindra miliona, ndoshta miliarda njerëz. Megjithatë, ka një ndryshim këtu. Në njërën anë janë njerëzit, popujt që e dinë saktë se çfarë është kjo kriptovalutë dhe e trajtojnë këtë si njëfarë bixhozi, madje edhe njëfarë argëtimi, njëfarë mënyre për rritjen e adrenalinës. Janë popuj që kanë krijuar mijëra qendra si Las Vegas ku shkojnë çlodhen, argëtohen, harlisen e përpiqen të fitojnë. Por, duke e ditur se shumica absolute e tyre nuk do t’ia arrijnë kësaj, sepse kjo thjesht nuk është e mundshme. Dikush edhe mund të fitojë, por kjo nuk merret dhe nuk duhet të merret seriozisht. Nuk mund të merret si një rrugë drejt pasurimit apo, Zoti na ruajt, drejt lumturisë.

Shqiptarët, në anën tjetër, janë në grupin e popujve që i marrin seriozisht këto lloj skemash. Tepër seriozisht. Jo vetëm me eufori, jo vetëm me ethe, me besim, me shpresë, por edhe me bindje, siguri e seriozitet. Në këtë grup, shqiptarët nuk janë vetëm. Megjithatë, duke e pasur një përvojë monumentale se skemat e tilla, piramidat pra mund të shkaktojnë telashe të mëdha, shkatërrim individësh, rrënim familjesh dhe, pse jo, edhe shembje të qeverive e shteteve. Na duhet të analizojmë, së pari, shkaqet pse gjëra të tilla na kanë ndodhur dhe, çuditërisht e çmendurisht, vazhdojnë të na ndodhin edhe në kohën e re, me të njëjtin intensitet, me të njëjtin seriozitet. Pse, shqiptarët – u mor vesh, bashkë me disa popuj të tjerë – janë viktima të përjetshme të mashtrimit?

E para gjë çfarë na vjen në mendje është se shqiptarët i përkasin grupit të popujve adoleshentë. D.m.th. popujve që kanë lindur, janë zhvilluar, janë formësuar, kanë filluar të shfaqin shenjat e pjekurisë, shfaqin disa cilësi të mira, sidomos individuale, kanë ambicie, kanë vetëvlerësim dhe tepër shumë vetëbesim. Kanë dije sipërfaqësore, por besim dhe shpresë megalomane për atë se çfarë dhe kush do të bëhen në jetë, si do të jetojnë dhe çfarë ndikimi e gjurme do të lënë në këtë botë, për të tjerët.

Me një fjalë, adoleshentët ende nuk janë plotësisht të pjekur, të formuar, të orientuar. Ende, janë të hutuar, të pasigurt për shumicën e gjërave, dukurive e fenomeneve, prandaj ende janë shumë të ndikuar dhe të ndikueshëm. Adoleshentët ndikohen shumë nga gjendja momentale, nga adrenalina, nga vrulli, nga euforia. Sidomos nga euforia që prodhon turma. Me një fjalë, adoleshenti është pjesë e turmës, sado unik, sado të papërsëritshëm, sado të veçantë e special që ai e trajton dhe e mendon veten e vet. Dhe, duke qenë pjesë e saj, e përcjell atë, d.m.th. turmën.

Ende i pasigurt ne vete dhe ende pa njohuri të plota për të mirën, për të keqen, për të frytshmen, për të dëmshmen, për të thellën dhe për sipërfaqësoren, për të lehtën dhe për të vështirën, adoleshenti ndikohet nga çështje, teste e sfida shpesh qesharake. Fillon të vishet si vishen të gjithë, jo se i pëlqen, por se ashtu po vishen të tjerët. Fillon të bëhet rebel, sepse ashtu paraqiten të tjerët. Fillon të flas pistë, sepse kjo është shenjë e pjekurisë. Fillon të pijë duhan, jo se i pëlqen (kujt i pëlqen tymi në gojë, sic!), por sepse kështu bëjnë të pjekurit, kështu bëjnë të gjithë. Fillon të përdor alkoolin, jo pse i pëlqen (nuk ka send më të neveritshëm për ëmbëlsinë e gojës së një adoleshenti, se sa t’i hedhësh aty një lëng pa asnjë shije!), por sepse të gjithë po thonë se u pëlqen dhe të gjithë thonë se është i mirë. Ai ose ajo adoleshente që merr guximin të thotë se nuk ka asgjë të mirë dhe me shije tek duhani dhe tek alkooli, shahen, largohen, fyhen, stigmatizohen si të dalë mode, si arkaikë, si të papjekur, si të padenjë, si qullacë, si qyqarë, si dikush që nuk do të arrijë asgjë në jetë. Dhe, prandaj, adoleshenti, në shumicën e rasteve nuk flet atë që e mendon, por atë që e mendojnë të tjerët, turma.

Eh, shqiptari pra, është në këtë stad. Shqiptari është adoleshent. Ai frikësohet ta thotë atë që mendon, atë që beson, atë që është mendje e shëndoshë. Shqiptari frikësohet të thotë të kundërtën që është në trend. Nëse komunizmi është në tren, shqiptari do të thotë se komunizmi është krejt jeta. Nëse demokracia hyn në trend, shqiptari veç për demokraci flet. Nëse nacionalizmi është në modë, shqiptari bëhet më nacionalist se ti. Nëse është koha e racizmit, shqiptari ta komplekson Ku-Klux Klanin. Nëse është koha e cullakhanes, shqiptari e lë prapa banorin e Amazonës. Dhe, u mor vesh, nëse është koha e piramidave, shqiptari është aty. E komplekson atë mashtruesin që e ka dizajnuar së pari kriptovalutën. Jo me sasinë e parave që është në gjendje të investojë në skema piramidale – sepse nuk ka shumë i shkreti – por e komplekson me besimin, me bindjen, me sigurinë, me shpresën, me euforinë. Sidomos me euforinë.

Dhe, këtu duhet të ndalemi. Si popull adoleshent, ne ngushtohemi, na vjen keq, nuk reagojmë, nuk flasim, nuk shfaqim mendimin tonë jashtë kornizave të euforisë aktuale. Ngushtohemi kur themi se nuk do të korruptoheshim, as kur është në favorin tonë, ngushtohemi kur tregojmë se nuk pimë duhan, e themi me zë të ultë se nuk pimë alkool, gënjejmë gjithmonë për aventura të paqena me gra të tjera, sepse po të pranonim se nuk kemi aferë jashtëmartesore, ajo do të ishte fundi i adoleshencës sonë. Dhe, adoleshenca jonë nuk duhet të përfundojë. Kurrë.

Një ditë, me lemeri e shihja veten se derisa miku po më qortonte dhe po më portretizonte si i paorientuar, i jashtëkohshëm, frikacak, i pazoti për diçka pasi që nuk kisha guxim të investoja në Bitcoin, unë nuk kisha forcë t’i them se kjo është një eufori që nuk do të zgjasë, një ethe kalimtare, një mashtrim, një piramidë që krejt për çka do të kujtohet, është rrënimi, tragjedia, varfëria, krimi. Jo, unë vetëm belbëzoja, i jepja të drejtë në njëfarë mënyre, kërkoja falje. Një zë në ndërdijen time po më klithte me zë të lartë se “mirë e ka, ti je një qullac” dhe unë po ngushtohesha se nuk po i bashkangjitem turmës, nuk po i bashkangjitem mashtrimit, nuk po i investoja paratë në skema piramidale moderne. Unë isha i keqi, i dobëti, i paorientuari, jo ai miku që po më ftonte, që po më shtynte në mashtrim. Ai ishte i miri, i orientuari, i mençuri. Unë ndjehesha i dobët, sepse ndjehesha i pasigurt. I pasigurt edhe për një parim bazë të jetës së njeriut: se mund të fitosh diçka pa u munduar, duke ndenjur në kokërr të shpinës, me mashtrim, në vetëmashtrim.

Dhe, këtu jemi. Tek parimet bazë. Tek parimet bazë të shtrembëruara. Të pasigurt, të paorientuar, nën ethe, nën eufori, me sy të çakërdisur, me shpresa të rrejshme për një të ardhme që nuk ka asnjë mundësi të jetë ndryshe. Ndryshe nga shkretëtira, jo vetëm morale, ku jetojmë.

Dhe, kështu do të vazhdojmë.

Për sa kohë që nuk e kalojmë fazën e adoleshencës.

Për sa kohë që nuk piqemi.

Për fund, pasi që në këtë aktualitet të hirtë, nuk ka kush të japë shembullin në këtë shoqëri, le të thërrasim traditën për një mësim, për një vendim, për një vendimmarrje. Edhe kur ajo vendimmarrje është e vështirë, tepër e vështirë. Por, pa qenë e vështirë, nuk do të, nuk do të ishte mësim, mësim për vete dhe për të tjerët.

Një herë, u ba qysh u ba, shpia e Xhemajl Abrisë e kishin mbjellë grunin, jo n’vjeshtë por kur ia dha syni i pranverës. Dhe shkoi e u rritë gruni, u zhvillua e u mush ara si deti. Kur u pjek e ishte gati me u korrë,

Xhemajl Abria dul deri te ajo arë, e kqyri, po mendon dhe i thirri mashkujt e shpisë.

– Shtinja flakën, – po u thotë.

– Qysh, bac, me ia shti flakën der ktij gruni, – po çuditen ata.

Xhemajl Abria, i kqyri ata, e kqyri arën dhe i urdhëroi me rreptësi:

– Shtinja flakën, kallne krejt se menojnë njerëzit që po u bajka me e mbjellë edhe në pranverë e jesin pa bukë, desin uni!!!

Exit mobile version