Jeta, fëmijëria, raportet me prindërit, rruga drejt kinemasë, marrëdhëniet me artin dhe botën… pjesë nga biseda që është pjesë e dokumentarit për regjisorin e madh rus Andrei Tarkovsky (1932-1986), të realizuar në vitin 1983 nga Donatella Boglivo, u përzgjodhën dhe u përktheun nga anglishtja nga Enkeleda Suti.
Kush je ti?
Nuk e di. Askush nuk e di se kush është. Është shumë më e lehtë të gjykojmë njerëzit e tjerë. Ne dimë shumë pak për veten. Fakti është që ne nuk jemi në gjendje ta kuptojmë njeriun.
A je i lumtur që ke lindur?
I lumtur nuk është fjala e duhur. Kjo botë nuk është një vend ku ne mund të jemi të lumtur. Nuk është krijuar për lumturinë e njeriut. Megjithëse, shumë njerëz besojnë se kjo është arsyeja e ekzistencës sonë. Unë mendoj se ne jemi këtu për të luftuar në mënyrë që e mira dhe e keqja brenda nesh të mund të përplasen, dhe e mira të triumfojë, kështu, duke na pasuruar ne shpirtërisht.
Është e vështirë të themi nëse jemi të lumtur apo jo; kjo nuk varet prej nesh… Ka raste kur njeriu bëhet pishman që ka lindur, por jeta na dhuron gjithashtu edhe surpriza, dhe vetëm për këtë ia vlen që të jetosh. Çështja e lumturisë nuk ekziston për mua. Lumturia si e tillë nuk ekziston.
Andrei, më fol për fëmijërinë tënde…
Mua më kujtohet shumë mirë fëmijëria. Ajo ka qenë periudha më e rëndësishme e jetës sime, dhe një periudhë që më ka shënjuar për jetën time si i rritur. Fëmijëria e përcakton gjithmonë të ardhmen tonë, veçanërisht nëse puna jonë është e lidhur me artin, apo me probleme të brendshme psikologjike. Poetja Anna Akhmatova theksonte rëndësinë e fëmijërisë së saj, që ushqeu të gjithë jetën dhe punën e saj. Dhe kjo është e vërtetë për të gjitha aktivitetet krijuese.
Unë kam jetuar me nënën time, me gjyshen dhe me time motër. Unë jam rritur nga ime më dhe sigurisht që kjo ka ndikuar në formimin e karakterit tim. Prindërit e mi u ndanë… në vitin 1935 ose 1936. Ime motër Marina dhe unë qëndruam me të. Shtëpia e fëmijërisë sime është një shtëpi e vogël në pyll, 90-100 kilometra nga Moska, afër një fshati të vogël, Ignatevo, pranë lumit të Moskës. Ne jetuam aty përpara luftës, në vitin 1935, ‘36, ‘37. Për shkak të marrëdhënies së prindërve tanë ishte një kohë shumë e vështirë. Ky ishte momenti kur im atë na la.
Më kujtohet një episod: Një natë im atë erdhi te ne dhe dëshironte që të shkoja dhe të jetoja me të. Më kujtohet se si u zgjova nga diskutimet e tyre. Ime më po qante, edhe unë po qaja, por në heshtje. E kisha vendosur që përgjigja ime do të ishte “jo”, edhe nëse ime më do të më kërkonte që të shkoja me të. Por, mua më ka munguar babai gjatë gjithë jetës sime. Ka qenë një kohë mjaft e dhimbshme: Duke pritur gjithmonë që ai të kthehej. Më vonë, pritja që të kthehej nga fronti i luftës, duke qenë se ai kishte shkuar vullnetarisht. Lufta ishte shumë e keqe: Im atë u nis për në front, mua më mungonte ai, letrat e tij vinin shumë rrallë. Por, ai u kthye me një këmbë, por u kthye. Edhe pse nuk jetonte me ne, ai u kthye… Ai u kthye me gradën kapiten dhe me Urdhrin e Yllit të Kuq.
Nëse do të më pyesnin se cilat kanë qenë fantazitë e mia kur kam qenë fëmijë, përgjigjja ime e vetme do të ishte: Unë po prisja që lufta të përfundonte. Atëherë kisha vetëm dy mendime; përfundimin e luftës dhe kthimin e tim eti. Dhe diçka tjetër, ushqimin. Ne ishim duke vdekur urie në atë kohë dhe ushqimi ishte diçka shumë e rëndësishme. Sigurisht që ne nuk mendonim vetëm për ushqimin, por kjo mund të shpjegojë edhe dritëshkurtësinë e fantazive të mia.
E gjithë fëmijëria ime është e lidhur me time më. Sigurisht që po, ajo më rriti. Ajo u kujdes për ne, ajo pati një jetë të vështirë. Kishte përfunduar Institutin e Letërsisë, si im atë. U takuan atje. Por, kur ai na la, ajo nuk mund të studionte më dhe të diplomohej me dy fëmijë që po rriteshin. Shkoi të punonte si redaktore në Moskë dhe punoi në të njëjtin vend derisa doli në pension.
Jeta jonë ka qenë shumë e vështirë. Dhe gjëja e mirë që kam, nëse e kam, si fakti që jam regjisor, ia detyroj të gjithën asaj, për sakrificën e saj për të më bërë atë që jam tani.
Ka qenë një periudhë e vështirë në jetën time. Përfundova në shoqëri të keqe. Isha 20 vjeç atëherë. Më shpëtoi ime më: Më dërgoi që të punoja në Siberi. Kalova aty një vit. Punova aty si vjelës, si punëtor i thjeshtë. Kalova në këmbë stepat e mbuluara me borë. Siberia është një nga kujtimet e mia më të bukura, koha më e bukur në jetën time.
A mendon se e ke gjetur tani atë që kërkoje kur ishe fëmijë?
Nuk e di. Është një pyetje e vështirë. Sigurisht që kam qenë duke kërkuar për diçka. Ndjeva që një ditë do të bëja diçka sikur të besoja paraprakisht në fatin tim të paracaktuar. Është kaq e ëmbël të mendosh që je i paracaktuar. Pastaj kam bërë gjëra që nuk do të ishte e drejtë që t’i quaja fëmijërore, sepse isha duke u bërë gati për jetën time të ardhshme… edhe pse nuk isha i vetëdijshëm për të. Ime më e dinte se çfarë ishte e mirë për mua. Unë isha shumë sipërfaqësor për të ditur se çfarë dëshiroja.
Pavarësisht situatës sonë të vështirë, i përfundova studimet muzikore për piano dhe më pas shkollën e artit në Moskë. Qartësisht, ime më dëshironte që unë t’ia përkushtoja jetën artit. Shembulli i tim eti ishte themelor për të. Ajo e deshi atë për gjithë jetën e saj. Dhe deri-diku, ajo dëshironte që unë të isha si ai, kështu që përfundova tek artet, por jo si pianist apo si dirigjent, si piktor ose si skulptor; pra, të gjitha gjërat që kisha studiuar. Ndonjëherë, ajo më pyet nëse kam pengje. Unë nuk e di. Sigurisht, më vjen keq që nuk kam punuar me muzikën, apo si dirigjent orkestre. Do të kishte qenë një profesion më i lehtë për mua.
Në rastin tim, pa gjithë këtë sfond kulturor nuk do të isha bërë dot regjisor. Por, as nuk mund të them se e kam gjetur atë që kërkoja kur isha fëmijë. Atëherë, nuk doja të isha as piktor, as muzikant. Karakteri im ishte i ngjashëm me atë të një bime: Unë nuk mendoja shumë, por ndjeja, perceptoja.
Fëmijëria është gjithnjë e mrekullueshme. Edhe fëmijëritë më të këqija mbeten te ne si periudha më e mirë e jetës sonë. Personalisht, unë shikoja një kohë ku e kisha çdo gjë përpara meje, isha i pavdekshëm dhe çdo gjë ishte e mundur. Kush mund ta dijë nëse fëmijëria ime është ende këtu me mua? Nëse do të mendoja që ajo do të ikte prej meje, do të isha i humbur. Mendoj se ndjesitë e saj më kanë lënë, por fëmijëria ime është ende brenda meje, për të më mbështetur dhe për të stimuluar aktivitetin tim krijues. Nëse ajo do të ishte zhdukur në një hiç, nuk do të kisha mundur të bëja dot asgjë në kinema.
A mendon se ke bërë gjënë e duhur duke zgjedhur kinemanë?
Përshtypjet e mia të para për kinemanë kanë qenë shumë të çuditshme. Nuk arrija të kuptoja se çfarë ishte. Ndonjëherë studentët e dinin se çfarë ishte ajo që në fillim. Ndërsa për mua ajo ishte një enigmë. Edhe më vonë kisha dyshime. Nuk e ndjeja atë. Nuk isha i prerë për të. E dija që kishte aspekte të rëndësishme teknike, por nuk e kisha kuptuar që ajo ishte një mjet shprehjeje, ashtu si poezia, muzika dhe letërsia. Edhe pas xhirimit të filmit ‘Fëmijëria e Ivanit’… ende nuk e kisha kuptuar rolin e regjisorit. Ishte një kërkim, një kërkim i verbër për pika takimi me poezinë. Vetëm atëherë e kuptova se kinemaja të jep mundësinë që të arrish thelbin e shpirtërores. ‘Fëmijëria e Ivanit’ ishte film shumë i rëndësishëm për mua, sepse nuk kisha asnjë ide se çfarë ishte kinemaja. Madje as tani nuk jam i sigurt se çfarë është kinemaja. Për mua është një mister i madh, si çdo formë tjetër arti.
Cila është marrëdhënia ndërmjet fëmijërisë së Ivanit dhe fëmijërisë suaj?
Njerëzit shpesh e lidhin fëmijërinë time me atë të Ivanit, por është gabim, pasi gjërat e vetme që ne kemi të përbashkëta janë mosha dhe lufta. Fati im nuk ishte aq tragjik. Unë jam ende gjallë, ndërsa ai ka vdekur. Ndërsa, unë isha me gjyshen time në lumin Vollga, ai ishte duke luftuar. Kam jetuar atje dy herë; përpara dhe gjatë luftës. Unë kisha lindur aty afër, në krahun tjetër të lumit, në një fshat të vogël në Zavarazhe. Nuk ekziston më… i ngritën krahët e lumit për të ndërtuar një stacion energjie dhe Vollga e përmbyti atë. Vetëm këmbanorja e kishës doli nga uji.
Filmi yt ‘Fëmijëria e Ivanit’ shkaktoi shumë debate të dhunshme midis kritikëve. Pas kaq shumë vitesh çfarë mendon ti për këtë?
Debati u drejtua kryesisht nga Sartri dhe Moravia. Moravia më kritikoi, ndërsa Sartri më mbrojti. Unë e lexova artikullin e Moravias me shumë interes. Ai e copëtoi filmin tim fare, por kritika e tij ishte në një nivel dhe cilësi mendimi të atillë saqë thuajse më pëlqeu. Unë isha mësuar me kritikë të standardizuar, ose pa kritikë fare, duke qenë se ai ishte filmi im i parë. Tani mund të them se Moravia kishte të drejtë, ndërsa mbrojtja e Sartrit ishte shumë filozofike dhe spekulative për të më bindur mua.
Për shumë njerëz, kinemaja është thjesht një punë, po për ty?
Unë nuk arrij dot të ndaj: Filmat e mi dhe jeta ime. Filmat janë pjesë e jetës sime. Që të jem në gjendje të bëj një film, më është dashur gjithmonë të bëj një lloj zgjedhje fatale. Njoh shumë njerëz që mund të ndajnë filmat e tyre nga jetët e tyre. Njoh shumë njerëz të cilët sillen në një mënyrë në jetën e tyre të përditshme dhe më pas shprehin ide të tjera në filmat e tyre. Në një farë mënyre, ata i kthejnë mendimet e filmave të tyre në mendimet e tyre. Unë nuk jam ashtu. Filmi nuk është një punë për mua. Filmi është jeta ime. Dhe çdo film është një akt themelor.
A të pëlqen të xhirosh filma?
Mua më pëlqen t’i krijoj filmat e mi… t’i shpik ato, të shkruaj skenarë, të krijoj skena… të kërkoj për vendndodhje… të mendoj për çdo gjë që është nevojshme për filmin. Por, xhirimi nuk është interesant: në çastin kur çdo gjë është menduar se si do të jetë, atëherë të duhet ta materializosh atë në një film, teknikisht, dhe kjo është shumë e mërzitshme.
Kush është mjeshtri yt në kinema?
Veprat e Dovzhekos janë shumë të rëndësishme për mua. Por, nëse do të thuash mjeshtri im aktual, ai është Mikhail Rhomm, i cili drejtoi për shumë vite Institutin e Kinematografisë. Ai më mësoi se si të isha vetvetja. Kaq shumë i detyrohem atij.
Çfarë mendon për filmin autor?
Besoj se vetëm poetët do të jenë ata që do të mbeten në historinë e kinemasë. Unë mendoj se ekziston një ligj: kinemaja autor është e përbërë nga poetët dhe të gjithë regjisorët e mëdhenj janë poetë.
Dhe çfarë është një poet në kinema?
Ai është një regjisor i cili krijon vetë botën e tij, pa riprodhuar realitetin rreth tij. Kjo është ajo që ne e quajmë ‘kinema autor’.
Andrei, yt at ishte një nga poetët më të mëdhenj rus. I tillë mbetet edhe sot. Më flit për të.
Padyshim që im atë është poeti më i madh i gjallë rus, me intonacionet e tij të fuqishme, lirike… dhe me shtysën e tij shpirtërore. Si poet, për të e vetmja gjë që ka rëndësi është koncepti intim, shpirtëror i jetës, ndjesia e thellësisë shpirtërore që ai përjeton kundrejt tokës dhe rolit të tij. Ai është një person modest, i cili nuk shkroi kurrë një rresht për t’u bërë i famshëm dhe nuk ndërtoi kurrë një karrierë mbi poezinë. Ai ka pasur një jetë të vështirë: Poezitë e tij ishin gati të botoheshin në kohën kur Zhdanov nisi (sipas meje) një kryqëzatë të padrejtë kundër gazetës “Zvezda” dhe “Leningrad”. Ai kritikonte poezitë e Akhmatovas, Zoshenkos, filmat e Eisensteinit… Kohë të vështira… dhe shumë libra të tim eti nuk u botuan. Zhdanov merrej shumë me situatën kulturore të asaj kohe dhe kështu librat e tim eti mbetën të pabotuar për një kohë të gjatë. Ato e panë dritën e diellit vetëm kohën e fundit. Shumë vonë.
Andrei, çfarë është arti?
Përpara se të përkufizojmë artin, apo çdo koncept tjetër, ne duhet t’i përgjigjemi një çështjeje shumë më të gjerë: Cili është qëllimi i jetës së njeriut në Tokë? Ndoshta, ne jemi këtu që të ngremë veten tonë shpirtërisht. Nëse jeta jonë anon nga pasurimi shpirtëror, atëherë arti është një nga mënyrat për të arritur atje. Kjo, sigurisht, në përputhje me përkufizimin tim për jetën. Arti duhet ta ndihmojë njeriun në këtë proces. Disa thonë se arti e ndihmon njeriun që të kuptojë botën, ashtu si çdo aktivitet tjetër intelektual. Unë nuk besoj në këtë mundësi njohjeje. Unë jam thuajse agnostik. Njohuritë na shpërqendrojnë nga qëllimi ynë i vetëm në jetë. Sa më shumë që dimë, aq më pak dimë; duke shkuar më thellë, horizonti bëhet më i ngushtë. Arti pasuron vetëm aftësitë shpirtërore të njeriut dhe kështu ai mund të ngrihet mbi veten dhe të përdorë atë që ne e quajmë ‘vullnet i lirë’.
Edhe presioni në të cilin ndodhej Rublev, nuk përbën përjashtim. Artisti nuk punon kurrë në kushte ideale. Nëse këto kushte do të ekzistonin, veprat e tij nuk do të ekzistonin, sepse artisti nuk jeton në zbrazëti. Duhet të ekzistojë një lloj presioni: Artisti ekziston sepse bota nuk është perfekte. Arti do të ishte i padobishëm, nëse bota do të ishte perfekte, duke qenë se njeriu nuk do të kërkonte harmoni, por thjesht do të jetonte në të. Arti ka lindur në një botë të sëmurë. Kjo është çështja tek ‘Rublev’: Kërkimi për marrëdhënien harmonike midis njerëzve, ndërmjet artit dhe jetës, ndërmjet kohës dhe historisë. Edhe filmi im për këtë është.
Një temë tjetër e rëndësishme në përvojën e njeriut, në këtë film mesazhi im është e pamundur që t’ia kalosh përvojën tënde të tjerëve apo që të mësosh nga të tjerët. Ne duhet të jetojmë vetë përvojat tona, nuk mund t’i trashëgojmë dot ato. Njerëzit thonë shpesh: përdor përvojën e tët eti! Shumë e lehtë: Secili prej nesh duhet të fitojë përvojën e tij. Por, në çastin që e kemi atë, ne nuk kemi më kohë në dispozicion që ta përdorim këtë përvojë të fituar. Dhe gjeneratat e reja, me të drejtë, refuzojnë që ta dëgjojnë këtë: Ata duan që ta jetojnë atë, por më pas edhe ata gjithashtu vdesin. Ky është ligji i jetës, kuptimi i saj i vërtetë: ne nuk mund t’ia imponojmë përvojën tonë njerëzve të tjerë apo t’i detyrojmë ata që të ndjejnë emocione të sugjeruara. Ne mund ta kuptojmë jetën vetëm përmes përvojave tona personale.
Murgu Rublev kishte një jetë komplekse: Ai jetoi me mjeshtrin Radonevsky tek Trinia e Shenjtë, por ai jetoi në grindje me mësimet e tij. Ai e pa botën me sytë e mjeshtrit të tij. Vetëm në fund të jetës së tij, ai e jetoi jetën sipas mënyrës së tij.
Çfarë mendon për shkencën, për mirë apo për keq?
Ne mund ta vlerësojnë rezultatin e përparimeve shkencore, por shkenca nuk varet nga njeriu. Është e vështirë të themi nëse shkenca është e mirë apo e keqe. Sigurisht, pas një procesi të gjatë historik, civilizimi ynë ka mbërritur në një fazë konflikti brenda njeriut, për shkak të hendekut të madh ndërmjet përparimit shkencor dhe atij shpirtëror të njeriut. Dhe ne jemi duke e thelluar edhe më shumë këtë hendek, që është edhe shkaku i gjendjes tonë të tashme dramatike. Civilizimi ynë është në buzë të greminës së shkatërrimit bërthamor për shkak të këtij hendeku të madh ndërmjet këtyre dy sferave tek njeriu.
Çfarë mendon për burra si Galileo dhe Ajnshtajn?
Ata e kishin gabim, që të dy.
A e konsideron filmin ‘Solaris’ një film fantastiko-shkencor?
Ai është filmi im më i keq. Nuk më pëlqen. Ndryshe nga Lemn, autori i librit, unë nuk isha shumë i interesuar në marrëdhënien ndërmjet njeriut dhe dijeve, por më shumë isha i interesuar në aspektet e brendshme njerëzore dhe psikologjike. A mund të jetojë njeriu në kushte jonjerëzore dhe të mbetet njeri ende? Mua më interesonte personazhi kryesor në film, sepse atij i duhej të qëndronte njerëzor në kushte jonjerëzore. Kjo është mënyra se si e kam parë dhe paraqitur atë në film. Nuk më pëlqen, sepse nuk mund të bëja asgjë me gjithë atë ‘jazz’ fantastiko-shkencor: llamba ndriçuese etj., që nuk kishin asnjë lidhje me idenë time.
Sipas teje, a ka dallimin ndërmjet njeriut që ti ishe në fëmijëri dhe atij që je sot?
Nuk mendoj se njerëzit ndryshojnë aq shumë. Por, pastaj, kujtesa ime është shumë përzgjedhëse: unë nuk kujtoj kurrë gjëra të cilat më shqetësojnë. Nuk është mungesë vetëdijeje, thjesht një tipar i kujtesës sime. Unë varem më shumë tek një lloj kujtese emocionale. Duke qenë se për mua si fëmijë dhe tani… e kam të vështirë ta them secili është dallimi.. ndoshta sepse si fëmijë kam qenë i lumtur. Por tani, nuk jam më i lumtur, sepse e kuptoj jetën. Dhe dija nuk na bën të lumtur, përkundrazi.
Cili është qëndrimi yt ndaj botës?
Unë kam tendencë që t’i përqasem botës në nivel emocional dhe ëndërrimtar. Unë nuk përpiqem të racionalizoj mbi të: Unë e perceptoj atë siç bën një kafshë ose një fëmijë, dhe jo si një i rritur, i cili i nxjerr vetë konkluzionet e tij.
Çfarë do të doje t’u thoshe të rinjve?
Të mësojnë ta duan vetminë; që të jenë më shumë vetëm me veten e tyre. Problemi me të rinjtë është se ata bëjnë veprime të zhurmshme dhe agresive, në mënyrë që të mos ndjehen vetëm. Dhe kjo është diçka e trishtë. Individi duhet të mësojë se si të rrijë vetëm që fëmijë, sepse kjo nuk do të thotë të jesh vetëm, por që të mësosh se si të mos mërzitesh me veten, që është një simptomë shumë e rrezikshme, thuajse një sëmundje.
A i do fëmijët?
Po, shumë.
A i do kafshët?
Kam vënë re se ke një raport shumë të bukur me kafshët. Bëhesh si fëmijë. Dukesh i lumtur.
Po me njerëzit?
Kafshët dhe fëmijët janë të pafajshëm. Kafshët edhe më shumë, është në natyrën e tyre. Por njeriu, kush mund të zgjedhë mes së mirës dhe së keqes, mëson se si të jetojë, sepse mendon se ai do të jetë më i lumtur dhe më i pasur në këtë mënyrë. Në fillim e nis me diplomacinë, pastaj kalon tek gënjeshtrat e vërteta. Kafshët dhe fëmijët, janë më afër së vërtetës, ndaj më pëlqejnë. Besoj se të gjithë ne pëlqejmë fëmijët, më shumë sesa të rriturit.
Si ëndërron me ngjyra apo bardh e zi?
Gjithmonë me ngjyra.
A je mendjemadh?
Nuk mendoj. Gjithmonë kam menduar dhe ndjerë se ajo që bëj është vendim i dikujt tjetër. Edhe kur kam qenë fëmijë. E çuditshme, por e vërtetë. Kështu, unë s’mund të jem mendjemadh për punën time, po ashtu.
A e do veten? A do të doje të ishe ndryshe nga ai që je?
Unë nuk e dua veten. Ne nuk e duam veten mjaftueshëm. Nëse do të donim veten mjaftueshëm, atëherë do të donim edhe njerëzit e tjerë. Ai që nuk e di përse jeton, nuk mund të ndjejë dashuri për njerëzit dhe për vetveten. Unë nuk e dua veten mjaftueshëm, kështu që nuk i dua as njerëzit mjaftueshëm. Por do të doja. Një nga të metat e mia më të mëdha është padurimi. Përpiqem që ta heq qafe, por nuk mundem. Nuk jam mjaftueshëm tolerant për moshën time. Dhe vuaj për këtë, sepse nuk mund t’u afrohem njerëzve me simpati. Ata më mërzisin.
A të pëlqen të qeshësh?
Unë nuk jam një person i gëzueshëm. Bota është plot me probleme të pazgjidhshme: nuk ka kohë për të qeshur. Jo nuk më pëlqen, disa njerëzve u pëlqen. Kur qesh, ndjehem fajtor. Kështu, kontrolloj veten, sikur të isha jashtë hapësire. Dhe kjo vlen edhe për filmat e mi, gjithashtu unë nuk mund t’i rishohë ato. Ndjehem i turpëruar kur dikush lexon ditarin që ai ka shkruar kur ka qenë fëmijë, plot me mendime të papjekura. Unë i shikoj filmat e mi vetëm natën e premierës.
Andrey, mendoj se, filmin tënd “Pasqyra” e do më shumë sesa çdo film tjetër tëndin sepse ai është një biografi e familjes tënde. A je dakord?
Shumë njerëz mendojnë se ky është filmi im i preferuar. Sigurisht që unë ndjehem i afërt me të, sepse është për familjen time. Çdo gjë është e vërtetë, asgjë nuk është e shpikur. Ajo është biografia e vërtetë e familjes tonë. Megjithatë, aty nuk janë të pasqyruara të gjitha parimet e mia të estetikës. Ky film ishte shumë i vështirë për tu bërë; nuk mund ta editoja. Episodet kishin një ndjesi kaq dramaturgjike… saqë filmi ra përpara meje gjatë editimit të tij. Mu desh të realizoja 19 variante të ndryshme të editimit, duke zhvendosur skena të tëra në një përpjekje për të bërë një film me to. Dhe kjo tregon që unë nuk e kam prerë atë sipas mënyrës tradicionale. Nuk e di se si e kam menaxhuar. Tani i kam modifikuar strukturat e filmave të mi si “Persekutuesi” dhe “Nostalgjia”, i fundit është xhiruar në Itali. E kam thjeshtëzuar stilin tim narrativ.
Filmi ‘Pasqyra’ është e mbushur me shumë detaje dhe intonacione në mënyrë që të jetë filmi ku trupëzohen të gjitha konceptet e mia estetike.
A e do vendin tënd?
Unë e dua shumë atdheun tim. Nuk mund ta përfytyroj dot që të jetoj për një kohë të gjatë larg prej tij. Unë kam qëndruar këtu për një kohë të gjatë dhe ndjej një nostalgji të menjëhershme për vendin tim, për shtëpinë time. Unë e dua vendin tim, atë që e quaj atdhe. Unë e dua atë më shumë sesa Moskën, ku kam jetuar për vite më radhë.
Ku do të dëshiroje të jetoje tani?
Nuk e di… do të doja të jetoja afër natyrës, në fshat ku ka pak njerëz. Jeta jonë në kafaz në qytet është rezultat i një gabimi: në fillim njeriut i duhej të bashkonte forcat për të mbijetuar, për të siguruar vetë ekzistencën e tij. Por tani, në vend të ndihmës dhe kënaqësisë, vetëm e lëndojmë njëri-tjetrin në qytetet e mëdha, aty ku jetojnë masa të mëdha njerëzish. Ne duhet t’i rikthehemi natyrës, duhet të jemi më shumë të lirë dhe të shikojmë sa më pak njerëz që të jetë e mundur. Megjithëse, njeriu është i lidhur me të tjerët, ky stil jete duket si diçka që na e kanë imponuar. Ndoshta njeriu ka gabuar në të shkuarën… bota do të kishte përparuar ndryshe…
Në filmat e tu ka gjithmonë shumë ujë… Përse të tërheq kaq shumë uji? Çfarë do të thotë uji për ty?
Më pëlqejnë shumë uji dhe përrenjtë. Është një lloj uji që më flet. Ndërsa deti është diçka e huaj për mua. Është shumë i madh për mua. Nuk më tremb, vetëm që është shumë monoton. Në natyrë më pëlqejnë më shumë gjërat e vogla, mikrokozmosi dhe jo makrokozmosi. Preferoj sipërfaqet e kufizuara. Kjo është arsyeja përse më pëlqen qëndrimi i japonezëve ndaj natyrës. Ata përqendrohen në një hapësirë të kufizuar dhe aty ato shikojnë reflektimin e pafundësisë.
A e njeh varfërinë?
Fëmijëria ime kaq qenë shumë e varfër. Unë jam rritur në kohë të vështira dhe e njoh varfërinë shumë mirë. Isha me të vërtetë shumë i uritur. Kur nuk ka shpresë për një copë bukë ditën tjetër, është diçka tmerrësisht poshtëruese. Por, kjo të mëson se si të jesh i dhembshur me të tjerët. Ai që ka qenë i uritur, nuk mund të jetë kurrë grykës.
Çfarë është pasuria?
Për mua nuk është asgjë e veçantë. Pasuria vetëm mund të të garantojë jetën që ti dëshiron të jetosh. Unë kërkoj një ekzistencë të thjeshtë. Nuk dua të jem i pasur. Çfarë është pasuria? Është një gjë relative. Kur njeriu ka para, ndryshon nga brenda: bëhet lakmitar dhe mosbesues. Ai mbron pasurinë e tij dhe kthehet në skllav të saj. Ky është aspekti më i keq i pasurisë: pasuria krijon skllavëri për njeriun.
Shumë njerëz e konsiderojnë filmin ‘Përndjekësi’ një film fantastiko-shkencor. Ndërsa për mua ajo është një përrallë për të rritur. Po ti çfarë mendon për këtë?
Njerëzit mund t’i klasifikojnë filmat e mi si të duan. Por, unë rebelohem kundra nën-ndarjes në gjini. Kur njerëzit më pyesin se çfarë mendoj për ‘Përndjekësin’ unë jam në mëdyshje. Nuk kam menduar kurrë që filmat e mi mund t’i përkasin një gjinie të caktuar. Për mua është më shumë një alegori, sesa një film fantastiko-shkencor. Unë nuk mendoj kurrë për qëndrimin e audiencës, sepse për mua është shumë e vështirë që të gjendem në këpucët e tyre. Disa njerëz e bëjnë këtë për të parashikuar suksesin e ardhshëm të filmit. Por, unë nuk jam një prej këtyre regjisorëve. Rruga më e mirë për të arritur tek audienca është që të mbetesh vetvetja, të përdorësh një gjuhë personale, që ata do ta kuptojnë me siguri.
Ne duhet të luftojmë kundra filmave tregtarë. Shikoni se si veprojnë shkrimtarët lidhur me këtë. Ata nuk përpiqen që të pëlqehen, sepse ata e dinë që publiku do t’i pranojë. Shkrimtarët që përpiqen të kënaqin audiencën nuk janë të suksesshëm. Poetët dhe shkrimtarët nuk dinë se si t’i kënaqin të tjerët. Unë kam gjetur një rrugëdalje nga kjo gjë, duke i zhvendosur filmat e mi nga bota e jashtme tek ajo e brendshme: Problemi i besnikërisë ndaj vetes, problemet ndërmjet personalitetit dhe idealeve. Ky është problemi i optimizmit.
Njeriu ka shpikur zgjidhjen materiale të problemeve të tij nëpërmjet përparimit teknologjik. Por kjo nuk është një zgjidhje. Për sa kohë që njeriu dhe shoqëria nuk përparojnë në harmoni me njëra-tjetrën, ose shpirtërisht brenda… problemi qëndron në ekuilibrimin e këtyre dy linjave të zhvillimit: ajo që është shpirtërore dhe e brendshme dhe materiali i jashtëm. Ky është mesazhi i filmave “Përndjekësit” dhe “Solaris”… dhe ndoshta në të gjithë filmat e mi… kjo përpjekje për të ekuilibruar nevojat shpirtërore me ato materiale.
Çfarë të tremb më shumë në jetë, në veçanti?
Brishtësia e njeriut, duke përfshirë edhe veten, dobësinë tonë përpara botës, natyrës, dhe veçanërisht përpara një qenie armiqësore. Gjëja më e keqe është përplasja me dhunën njerëzore. Njeriu i keq fshihet brenda vetes.
A ke frikë nga plakja?
Jo, nuk kam. Mbase kam frikë nga sëmundjet, dhimbja fizike, plakja e trupit. Sigurisht, mosha e vjetër është diçka e rrezikshme, sepse ajo është një lloj ngadalësimi i pamëshirshëm i vdekjes. Por, plakja ka edhe gjëra të këndshme: durim, përvojë, kuptimin mbi botën, të cilat nuk janë gjëra të lehta kur je i ri. Plakja ka avantazhet e veta, të cilat nuk mund të shijohen kur je i ri.
Po vdekja te tremb?
Për mua vdekja nuk ekziston. Ekziston një akt i dhimbshëm që paraqet vuajtjen e njeriut. Shpesh njeriu ngatërron konceptet e vuajtjes me vdekjen. Njëherë ëndërrova sikur kisha vdekur dhe ishte shumë e ngjashme me realitetin. Përjetova një ndjesi lirie dhe lehtësie, që më bindi që kisha vdekur dhe që i kisha zgjidhur të gjitha lidhjet me këtë tokë.
Jo, unë nuk besoj në ekzistencën e vdekjes: por vetëm te dhimbja dhe vuajtja. Dhe njeriu i ngatërron këto të dyja. Ja këtë besoj unë. Nuk e di… ndoshta një ditë kur të shikoj në sytë e vdekjes do të frikësohem dhe do të flas ndryshe. Vështirë ta thuash.
A mendon se je i pavdekshëm?
Po, kjo është e sigurt.
Andrey, po në jetën tënde a ke pasur në të vërtetë çaste lumturie të madhe?
Vetëm gjatë fëmijërisë sime, kur jetoja me time më, në atë fshat mbi lum. Atë e mbaj mend si një kohë të lumtur. Isha ende fëmijë, në kontakt me natyrën. Ne jetonim në pyll dhe isha shumë i lumtur. Nuk kam qenë kurrë aq i lumtur.
Kur ke qarë për herë të fundit?
Kur vdiq ime më, u ndjeva shumë i vetmuar. Aty kuptova që kisha humbur njeriun që kisha më afër vetes, edhe pse ishim larg. Dhe hera e fundit kur kam qarë është kur vdiq ajo, jo aq shumë për vdekjen e saj, sepse ajo ka qenë e sëmurë për ca kohë, dhe u gëzova që dhimbjet e saj morën fund: qava nga egoizmi, sepse u ndjeva vetëm, kisha humbur njeriun më të dashur për mua. Ishin lotë egoizmi. Në përgjithësi, lotët janë gjithmonë egoistë. Do të thosha që ato janë rimishërimi i pastër i egoizmit.
Çfarë mendon për gratë? A janë gratë vetëm bashkudhëtare të burrave, apo diçka më shumë?
Për mua, një grua duhet të mbetet një grua. Nuk e kuptoj kur ajo pretendon të jetë diçka ndryshe ose e veçantë, të mos jetë më një grua, thuajse një burrë. Gratë e quajnë këtë ‘barazi’. Bukuria e një gruaje, veçantia e saj, është në thelb të saj, që nuk është e ndryshme, por e kundërt nga ajo e burrit. Detyra e saj kryesore është që të ruajë këtë lloj thelbi. Tani një grua nuk është vetëm një bashkudhëtare e burrit, ajo është diçka më shumë. Nuk më duket tërheqëse një grua e deprivuar… dhe feminiliteti i saj… ajo është rimishërimi i dashurisë në këtë botë.
Kam shumë respekt për gratë të cilat shpesh e di që janë më të forta dhe më të mira sesa burrat, për aq kohë sa ato mbeten gra.
Çfarë është dashuria?
Një katastrofë!
A të pëlqen të jesh i dashuruar?
Jo, nuk më pëlqen, sepse është si një sëmundje. Kur dashuroj një grua nuk jam i lumtur. Ndjehem disi i trishtuar… që është një emocion totalisht i ndryshëm.
A je i dashuruar tani?
Me shumë mundësi, po…