Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nesër, e enjte, do të mbyllet për qarkullim të veturave një pjesë e rrugës “UÇK” në kryeqytet.
Sipas njoftimit, rruga do të jetë e mbyllur për dy orë për shkak të një testi të sigurisë që do të realizohet nga komuna.
Tutje, thuhet se Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca do të organizojë një ushtrim praktik në objektin e vjetër të komunës me qëllim testimin e gatishmërisë reaguese të pjesëtarëve të personelit komunal dhe qytetarëve të cilët gjenden brenda, në rast të zjarrit dhe fatkeqësive tjera natyrore.
“Të enjten me datë 03.08.2023, nga ora 11:15 deri në 12:45, Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca do të organizojë një ushtrim praktik në objektin e vjetër të komunës me qëllim testimin e gatishmërisë reaguese të pjesëtarëve të personelit komunal dhe qytetarëve të cilët gjenden brenda, në rast të zjarrit dhe fatkeqësive tjera natyrore, si dhe koordinimin e institucioneve për reagim në zjarre dhe fatkeqësi tjera natyrore për: shuarjen e zjarrit, kërkim shpëtimin, evakuimin e personelit dhe qytetarëve”.
“Për shkak të ushtrimit, në koordinim me policinë është marrë vendimi që një pjesë e rrugës ‘UÇK’ (ku gjendet komuna) të mbyllet për qarkullimin e veturave për dy orë”, thuhet në njoftimin e komunës. /Telegrafi/