Miliona femra po e rrezikojnë veten duke mos i kontrolluar gjinjtë për të vërejtur ndonjë shenjë të hershme të kancerit.
Sipas një anketimi me më shumë se 2,000 femra britanike të moshës mbi 18-vjeçare, 1 në 4 prej tyre kanë raportuar se asnjëherë nuk i kanë ekzaminuar gjinjtë ose nuk e mbajnë mend se kur e kanë bërë këtë për herë të fundit, transmeton Telegrafi.
Ndërkohë, 39% prej tyre kanë thënë se edhe nëse do të zbulonin ndonjë gjë të pazakonshme do të vonoheshin për kontroll mjekësore.
Se përse e bëjnë këtë, anketimi ka zbuluar se 1 në 3 femra brengosen se vetëm ua “humbin kohën” doktorëve me brengat e tyre, ndërkaq tjerat kanë thënë se kanë turp.
Këto brenga kanë qenë më prezente te femrat e moshës 18-34 vjet, ku më shumë se gjysma e femrave të kësaj grupmoshe e kanë thënë të njëjtën gjë.
Ekspertët tregojnë se diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit është shumë i rëndësishëm, pasi që mund të shërbejë si parandalim që pacientët t’u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjike apo tretmanëve të ndryshme me ilaçe.
90% e femrave që diagnostikohen në fazë të hershme me kancer të gjirit do të mbijetojnë dhe do të kenë shëndet të mirë 5 vjet pas diagnostikimit, por kjo shifër bie në vetëm 15% për ato që diagnostikohen në fazë të vonshme.
Doktorët e theksojnë faktin se femrat duhet të jenë të vetëdijshme se çfarë është e çfarë nuk është normale për gjinjtë e tyre në mënyrë që me lehtësi ta identifikojnë çdo ndryshim. /Telegrafi/