Telegrafi

Një pjesë e lagjes së Muhaxherëve qe tri ditë pa ujë, ujësjellësi thotë se janë prishur pompat

Banorët të cilët jetojnë në lagjen e Muhaxherëve, konkretisht në rrugën “Rrustem Statovci” në adresën Z4-S3 janë ankuar se që tri ditë nuk kanë ujë.

Ata i kanë thënë Telegrafit se nuk janë njoftuar nga ujësjellësi fare për këtë mungesë të ujit. Madje thonë se nuk e dinë as a janë të ç’kyçur apo ka ndonjë problem tjetër.

Telegrafi ka kontaktuar me zëdhënësen e KRU “Prishtina” për ta marrë një përgjigje lidhur me këtë.

Arieta Mjeku Azizi ka thënë për Telegrafin se problemi i mungesës së ujit tek këta banorë është prishja e pompave në ndërtesat e tyre.

“Mungesa e ujit qe tri dite tek këta banorë është për shkak të prishjes së pompave në ndërtesën e tyre që i kanë poshtë. Ato pompa ua ka vendosur investitori dhe ne nuk e kemi obligim me ua rregulluar pompat por, duhet vetë banorët me investitorin me t’i rregullojnë. Ne e kemi obligim vetëm deri tek ujë-marrësi ndërsa çka ndodhë brenda nuk është obligim i yni”, ka thënë ajo.

Sipas saj nëse banorët kanë ndonjë kërkesë duhet ta bëjnë me shkrim dhe pastaj ujësjellësi u kthenë  një përgjigje.

“Të gjitha banesat se çka janë me pompa brenda e kanë detyre t’i rregullojnë, sepse uji shkon deri tek ujë-marrësi por nuk shkon në katet lartë të banesave”, ka theksuar ajo.

Ndër të tjera ajo ka thënë se uji është duke u keqpërdorur mjaft shumë.

“KRU “Prishtina” sh.a me të gjitha kapacitetet trajtuese maksimale në tri fabrikat e trajtimit të ujit dhe me të gjitha mundësitë teknike të sistemi është duke bërë shpërndarje të barabartë tek te gjithë konsumatorët.

Mirëpo lagjja në fjalë dhe disa lagje tjera që kanë pozitë gjeografike ta njëjtë janë duke bërë keqpërdorime të ujit në mënyrë ekstreme”, është shprehur ajo./Telegrafi/