Një person i ri i armatosur me sopatë dhe sharrë elektrike i ka sulmuar njerëzit në një qendër tregtare në kryeqytetin Minsk në Bjellorusi, duke e vrarë një femër dhe plagosur një tjetër.
Zyrtarët i thanë programit për Bjellorusi të Radios Evropa e Lirë se sulmi i djeshëm ka ndodhur në qendrën tregtare Europa në Minsk.
Më vonë policia e ka arrestuar të dyshuarin, që është përshkruar si 17 vjeçar, shtetas bjellorus.
Policia tha se videoincizimet e kamerave vëzhguese tregojnë se sulmuesi e kishte sjellur sopatën dhe sharrën elektrike në një çantë për gitarë.
Autoritetet thanë se gruaja e plagosur, 46 vjeçare, po trajtohet në një spital në Minsk, pasi ishte goditur me sopatë në krah dhe gjoks.
Policia nuk ka bërë komente të menjëhershme për motivet e të dyshuarit për këtë sulm.