Telegrafi

Një person i plagosur në Rashçe të Shkupit

Incidenti ka ndodhur të martën rreth orës 18.35 në rrugën Rashçe – Radushë në komunën e Sarajit të Shkupit, kur rreth gjashtë persona me maska dhe të armatosur me pushkë automatike kanë ndaluar Agim Tanallarin, 31 vjeç i cili po udhëtonte drejt shtëpisë me makinën “Opel Insignia” i shoqëruar nga babai i tij, njofton agjencia INA.

Grabitësit kanë shtënë me armë dhe kanë plagosur 31 vjeçarin, ndërsa më pas me dy makina “Opel Astra Karavan” dhe “Opel Vectra”, kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

Policia theksoi se sulmi dyshohet të jetë ndërmarrë për qëllim grabitje, pasi që Agim Tanallari ishte pronar i këmbimores “Vrella” në Shkup. Sipas informacioneve nga spitali ushtarak, Tanallari është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Policia bëri të ditur mbrëmë vonë se dy makinat e grabitësve janë gjetur në basenin e peshqve në Radushë. MPB ka informuar se nesër do të jap detaje mbi incidentin, pas kryerjes se ekspertizës nga ekipet e policisë kriminale dhe hetuesisë. /Telegrafi/