Site icon Telegrafi

Një pasagjer u gjet i gjallë në një traget që është djegur prej tre ditësh në Greqi, ringjallen shpresat për të mbijetuar të tjerë

Një pasagjer u gjet i gjallë të dielën në një traget që ka tre ditë që është djegur në Greqi, duke ringjallur shpresat se disa të tjerë të zhdukur mund të kenë shpëtuar.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, njëmbëdhjetë shoferë kamioni – shtatë bullgarë, tre grekë dhe një turk – mbetën të pagjetur të dielën përpara se televizioni Skai të raportonte se një operacion ishte duke u zhvilluar “për të shpëtuar 4-5 pasagjerë të tjerë që janë gjallë”.

Trageti ishte 1.5 milje (rreth dy kilometra) nga pjesa veriore e Korfuzit, tha roja bregdetare.

“Jam mirë”, u tha ai gazetarëve para se të transportohej në spital ku pritet të qëndrojë të paktën deri nesër.

“Isha në kabinën time. Shkova në kuvertën e poshtme. Dëgjova zëra. Nuk pashë të tjerët”, u ka thënë i mbijetuari shpëtimtarëve dhe mjekëve në spitalin ku po trajtohej.

“Anija mund të ketë ende pjesë të sigurta për pasagjerët”, tha për Agjencinë e Lajmeve të Athinës (ANA) Andreas Korikis, i cili ndihmoi në shpëtim të premten.

Sipas brigadës së zjarrfikësve, të paktën 40 zjarrfikës u vendosën në zonë mëngjesin e së dielës për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit.

Siç bëhet e ditur, ekipet e shpëtimit kishin arritur të shpëtonin 280 pasagjerë të premten, duke i evakuuar, por 12 drejtues kamioni mbetën të zhdukur.

Anija mbante zyrtarisht 239 pasagjerë dhe 51 ekuipazh, si dhe 153 kamionë dhe rimorkio dhe 32 automjete pasagjerësh, tha kompania Grimaldi. /Telegrafi/

Exit mobile version