Site icon Telegrafi

Një paradoks i ‘modës’ pozitiviste në shkencat sociale

Ilustrim

Aleksandër Kocani

Ideja e këtij artikulli lindi nga një shqetësim i shprehur prej disa vitesh se në shkencat sociale në vendin tonë (por jo vetëm aty), ‘bën ligjin’ një qasje metodologjike e vjetruar dhe jo produktive, e cila e fut kërkimin e shkencave sociale në qorrsokak, duke shkaktuar një harxhim kohe dhe forcash intelektuale pa efektivitet. Fjala është për qasjen metodologjike pozitiviste, e cila është krijuar që në vitet ‘30-të të shekullit XIX nga filozofi francez August Comte. Kjo ide u konkretizua fillimisht në një referim të mbajtur në një seminar filozofik të klubit Russell në Llogara, aty nga dhjetëditëshi i parë i muajit shkurt dhe me disa ndryshime të vogla po paraqitet këtu.

* * *

Thelbi i shqetësimit qëndron në atë që pasuesit e ‘modës’ së metodologjisë pozitiviste nuk ofrojnë asnjë zgjidhje të argumentuar, pra edhe të pranueshme për problemet që përpiqen të trajtojnë. Ata ‘i vinë vërdallë’ problemit, bëjnë përshkrime të detajuara të elementeve të tij dhe që synojnë të kenë natyrë gjithëpërfshirëse, por nuk thellohen në brendësitë tij për të kapur raportet strukturore, ose/edhe arsyet që e kanë shkaktuar atë. Pra, as përshkruajnë strukturën e këtij problemi (që nuk kapet me sy të lirë) dhe as shpjegojnë shkaqet që e kanë prodhuar atë.

Me një fjalë, ‘ku ishe – asgjëkund! Çfarë bëre – asgjë!’ Kështu që, trajtimi përshkrues sipërfaqësor që i bëjnë ata problemit kërkimor nuk ‘mban fare erë rigoroziteti shkencor’. Mirëpo, kjo mungesë e rigorozitetit shkencor në qasjen e tyre metodologjike (dhe epistemologjike) pozitiviste bie ndesh me vetë ‘kredon morale’ të daljes së filozofisë pozitiviste si filozofi që bazohej kryesisht në pozitivitetin e dijeve, që buronin nga përvoja në ngjashmëri me fizikën njutoniane.

Themeluesi i filozofisë pozitiviste kërkoi një filozofi që, po ashtu si dhe fizika e Njutonit, ‘të qëndronte me këmbë në tokë’, të bazohej te të dhënat empirike për të shmangur subjektivizmin e voluntarizmin, që dilte nga absolutizimi i arsyes prej traditës filozofike karteziane. Madje, August Comte pati intuitën gjeniale të krijimit të një ‘fizike të shoqërisë’, si një shkencë që do të studionte dukuritë shoqërore me po atë rigorozitet që bënte fizika studimin e dukurive natyrore.

Pra, ai ideoi një projekt të krijimit në të ardhmen të një shkence shoqërore që do të kishte po atë rigorozitet, saktësi dhe skrupulozitet si dhe shkenca e fizikës.

* * *

Tashmë dihet se një nga pretendentët për të pasur statusin e ‘fizikës së shoqërisë’, ka qenë i ashtuquajturi ‘Materializëm historik’ i K. Marks-it dhe F. Engels-it, i cili përbënte në fakt një variant të ideologjizuar të modelit të shpjegimit shkencor të shoqërisë. Themeluesit e tij mëtonin se ky Materializëm historik jepte ligjet universale të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, të cilat kishin vlerën e të ‘vërtetave absolute’. Që do të thoshe se këto ligje, në parim, nuk pranonin fare mundësinë e përgënjeshtrimit të tyre, sepse ato jepnin veç dije të sigurta, po aq rigoroze, në mos më shumë, sa edhe shkencat ekzakte si fizika.

Pra, “Materializmi historik’ përbënte një model mëse shkencor (në kuptimin që kishte termi ‘shkencë’ në atë kohë!) të shpjegimit të shoqërisë njerëzore kudo dhe kurdoherë. Si të thuash, mishëronte idenë e ‘fizikës së shoqërisë’ të dhënë nga August Comte. Mirëpo, dështimi i eksperimentit social tragjik me përmasa të mëdha të ndërtimit të shoqërive bazuar në parimet e ‘Materializmit historik’, në një sërë vendesh të Evropës Lindore dhe të Azisë, tregoi pathemelësinë e mëtimeve për vërtetësi universale të parimeve bazë të këtij materializmi. Kështu që, ky variant pretendent për të qenë ‘fizikë e shoqërisë’ u la mënjanë mbas viteve ‘90 të shekullit XX.

* * *

Krijimi i sociologjisë, ndarja prej saj e degëzimeve të ndryshme (si sociologji feje, shkence, të punës, të ligjit etj.) dhe krijimi i një sërë disiplinash të tjera sociale, që kishin si objekt studimin e aspekteve të ndryshme të shoqërisë (si shkencat politike, ekonomike, psikologjia politike, psikologjia sociale etj.), sikur e la mënjanë projektin e një ‘fizike të shoqërisë’. Studiuesit e fushave të lartpërmendura në pjesën më të madhe të tyre, konsideruan se shkencat sociale kanë veçori thelbësisht të ndryshme nga ato të shkencave ekzakte, prandaj as mund të hiqeshin paralele midis tyre dhe as mund të huazoheshin metoda, të themi fizike, në shkencat sociale.

Kështu që, sipas tyre, nuk kishte kuptim që në shkencat sociale të kërkohej edhe ai rigorozitet, ajo saktësi dhe ai skrupulozitet që karakterizonte shkencat ekzakte si fizika. Me këtë, pa e thënë haptazi, hidhej poshtë projekti i Comtes për një ‘fizikë të shoqërisë’.

Mirëpo, K. Popper në veprën e ti “Mjerimi i historicizmit” e kundërshton këtë ide të veçantësisë thelbësore të shkencave sociale nga ato ekzakte. Sipas tij, në thelb, metoda të ngjashme me ato që përdoren në fizikë mund të përdoren edhe në shkencat sociale, që do të thotë se ai de facto e riktheu ‘në jetë’ idenë e projektit të Comtes për një ‘fizikë të shoqërisë’. Argumentet për këtë rikthim mund të gjenden te kuptimi që kishin Popperi dhe Hempeli për të ashtuquajturat ‘shkenca empirike’, si shkenca që bazoheshin në të dhënat empirike dhe që i kontrollonin arritjet e tyre me ballafaqim me këto të dhëna empirike. Sipas tyre, cilësoheshin të tilla të gjitha disiplinat shkencore, me përjashtim të matematikës dhe logjikës (kuptohet edhe filozofia, meqë kjo nuk përbën një shkencë).

Pra, nën këtë ‘etiketë’ përfshiheshin si shkencat ekzakte (fizika etj.) ashtu edhe shkencat sociale. Nëse si rrugë e bërjes shkencë nuk do të ndiqej ajo pozitiviste, që të çon të ‘bredhësh në fusha të ndryshme’ dhe të mbledhësh ‘buqeta me fakte’ për t’iu bërë atyre interpretime arbitrare, subjektive të pambështetura në argumente rigoroze, por rruga e qasjes racionaliste kritike që siguron rigorozitetin shkencor të duhur, atëherë paralelizmi shkenca ekzakte – shkenca sociale do të ishte shumë i qartë.

Më konkretisht, sipas qasjes racionaliste kritike, për të gjitha shkencat empirike, ku përfshihen edhe shkencat sociale edhe fizika, ka vend e njëjta metodologji, e cila nis kërkimin duke identifikuar një problem kërkimor, veçon prej tij një aspekt me anën e një pyetjeje kërkimore, i jep përgjigje asaj ose me një supozim bazë, ose me një hipotezë dhe e teston empirikisht këtë përgjigje me anën e testimit të implikimeve-parashikim që deduktohen nga kjo përgjigje. Dhe, në varësi të rezultatit të testimit empirik, i propozon bashkësisë shkencore përkatëse ta pranojë ose jo zgjidhjen e problemit kërkimor të paraqitur.

* * *

Pra, del që si fizika ashtu edhe shkencat sociale ndjekin të njëjtën rrugë (metodologji) në kërkimin e tyre shkencor, gjë që i jep të drejtë sa idesë së Popperit për ngjashmërinë thelbësore të metodave që ato përdorin, aq edhe idesë së Comtes për projektin e një ‘fizike të shoqërisë’. Përderisa ndiqet e njëjta rrugë metodologjike dhe kërkohet i njëjti rigorozitet për pranimin e rezultateve të hulumtimit shkencor (kalimi me sukses i testeve rigoroze empirike), shkencat sociale që ndjekin qasjen racionaliste mund të konsiderohen si ‘shkenca fizike për shoqërinë’.

Dhe, me këtë mund të konsiderohet se është realizuar projekti i Comtes për ‘fizikën e shoqërisë’. Ndërkohë, pasuesit e filozofisë pozitiviste të August Comtes ndjekin një rrugë metodologjike, që nuk siguron aspak rigorozitetin e përfundimeve të hulumtimit kërkimor. Kjo rrugë as të çon te propozimi i një zgjidhjeje për një problem kërkimor të fokusuar dhe as nuk e fut atë në një proces rigoroz kontrolli empirik, duke u përhapur në shumë aspekte e detaje dhe në propozimin e shumë interpretimeve subjektive, voluntariste të të dhënave të mbledhura gjatë kësaj shtrirjeje në gjerësi të fushës së kërkimit, interpretime që paraprakisht nuk kanë kaluar me sukses sprovat e veta empirike.

Pikërisht për këtë mungesë të argumenteve rigoroze që lidhen me rezultatet e sprovës empirike, këto interpretime jorigoroze, po të perifrazonim Popperin, nuk ka arsye përse ato të konsiderohen seriozisht në shkencë. Pra, qasja pozitiviste që ndiqet në shkencat sociale aktuale, të çon në përfundime që nuk kanë as rigorozitet e skrupulozitet shkencor dhe as përbëjnë zgjidhje të problemeve kërkimore të testuara empirikisht. Kjo qasje shkon në një drejtim të kundërt me atë të përcaktuar nga August Comte në kuadrin e projektit të krijimit të një ‘fizike për shoqërinë’!

Kështu që ajo përmban një paradoks: ka si kredo morale dhe si synim epistemologjik projektin e një shkence të shoqërisë po aq rigoroze dhe skrupuloze sa edhe fizika, të përcaktuara nga krijuesi i filozofisë pozitiviste. Nga ana tjetër, realizon diçka në kundërshtim të plotë me to!

Pra, partizanët e qasjes pozitiviste në shkencat sociale, paradoksalisht veprojnë në kundërshtim me rrugën që trasoi ideatori dhe krijuesi i filozofisë pozitiviste! Kështu që, nëse ata do të kërkonin që si pozitivistë të ishin koherent me idetë e August Comtes, atëherë mbetet që të ndiqnin qasjen racionaliste kritike, sepse vetëm ajo i përgjigjet frymës origjinale të zanafillës së mendimit pozitivist në shkencat sociale.

Por, për këtë lypset që ata të vetëdijesohen për situatën paradoksale të qasjes metodologjike që aktualisht ndjekin. /Panorama/

Exit mobile version