Telegrafi

Një oficer i marinës amerikane dënohet me dy vjet burg për spiunazh për Kinën

Një oficer i marinës amerikane, i cili u deklarua fajtor për sigurimin e informacioneve të ndjeshme ushtarake për një oficer të inteligjencës kineze, u dënua me më shumë se dy vjet burg të hënën, tha departamenti i drejtësisë amerikane.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Wenheng Zhao, 26 vjeç dhe një tjetër marinar amerikan, Jinchao Wei, u arrestuan në gusht me dyshimin se kishin spiunuar për Kinën.

Zhao u deklarua fajtor në një gjykatë federale në Kaliforni në tetor për akuzat e komplotit me një oficer të huaj të inteligjencës dhe marrjes së ryshfetit.

Dhe tanimë ai u dënua të hënën me 27 muaj burg dhe 5500 dollarë gjobë.

Sipas zyrtarëve amerikanë, Zhao, i cili ishte i vendosur në një bazë detare në veri të Los Anxhelosit, mori gati 15,000 dollarë nga oficeri i inteligjencës kineze midis gushtit 2021 dhe majit 2023.

Në këmbim, ai dorëzoi informacione të ndjeshme në lidhje me sigurinë operacionale të marinës amerikane, stërvitjet dhe infrastrukturën kritike. /Telegrafi/