Roberto Mancini është dorëhequr nga posti i trajnerit te Përfaqësuesja e Italisë, por ai nuk do të mbetet gjatë pa punë.
Arsyeja që Mancini ka dhënë dorëheqje nga trajneri i Italisë nuk ka të bëjë me jetën e tij private, por prapa saj qëndron një ofertë e çmendur nga Arabia Saudite.
Mediat italiane kanë mësuar se bëhet fjalë për një kontratë trevjeçare për të drejtuar Përfaqësuesen e Arabisë Saudite nga trajneri italian.
Trajneri italian ka arritur marrëveshje me Arabinë Saudite nga e cila do të përfitojë 20 milionë euro në vit, një shumë të cilën nuk do ta siguronte kurrë në futbollin italian.
Një shifër e tillë marramendëse ka bërë që Mancini të vendosë të largohet nga një përfaqësuese me emër si Italia, për të shkuar në Lindjen e Mesme.
Zyrtarizimi i Mancinit në krye të Përfaqësueses së Arabisë Saudite pritet të bëhet këtë javë, derisa mbetet të shihet se kush do ta drejtojë Italinë.
Luciano Spalletti është favoriti kryesor, pasi ai tanimë është i lirë dhe ka shprehur gatishmërinë për ta marrë drejtimin e përfaqësueses italiane. /Telegrafi/