Site icon Telegrafi

Një nga sportistët më të mirë britanikë të të gjitha kohërave, Bradley Wiggins: Trajneri më abuzoi seksualisht

Pesë herë kampioni olimpik i çiklizmit Bradley Wiggins, i cili u nderua me titullin Kalorës në vitin 2013 nga mbretëresha britanike Elizabeth për arritjet e tij, ka zbuluar se ai ishte viktimë e abuzimit seksual si adoleshent.

Fituesi i Tour de France 2012 ka thënë se trajneri kishte abuzuar me të kur ishte 13-vjeçar.

Çiklisti tashmë 41-vjeçar, i cila ka garuar në çiklizëm rrugor dhe çiklizëm në pistë, konsiderohet si një nga sportistët më të mirë britanikë të të gjitha kohërave. Ai fitoi gjithsej tetë medalje olimpike, duke përfshirë pesë të arta dhe shtatë tituj botërorë.

Wiggins tha se nuk mund të fliste për këtë më parë për shkak të një marrëdhënieje të vështirë me njerkun e tij dhe në një intervistë me numrin e majit të revistës britanike ‘Men’s Health’ tha se kurrë nuk ishte pajtuar me abuzimin.

“Kur isha më i ri, isha rreth 13 vjeç, jam abuzuar nga një trajner dhe kurrë nuk e kam pranuar këtë”, ka thënë ylli britanik.

I pyetur nëse po fliste për abuzim seksual, ai shtoi: “Po. Gjithçka ndikoi tek unë si i rritur… Thjesht i varrosa ngjarjet thellë brenda. Njerku im ishte mjaft i dhunshëm ndaj meje”.

Wiggins kishte thënë më parë se vuante nga depresioni dhe kishte një fëmijëri të vështirë. Ai shtoi se pjesën më të madhe të jetës e kaloi duke u përpjekur të kuptonte marrëdhënien e tij me të atin, çiklistin australian Gary Wiggins, i cili u largua nga familja, ndërsa Bradley ishte ende i ri. Ai vdiq në vitin 2008 pas një debati në një festë në shtëpi.

“Kjo ishte padyshim e lidhur me babain tim,” u përgjigj Wiggins kur u pyet nga çfarë po përpiqej të shpëtonte në jetë. “Ai ishte heroi im. Doja t’i tregoja veten atij. Ai ishte një çiklist i mirë, mund të ishte shumë i mirë, por ishte një talent i tretur. Ishte alkoolik, i dëshpëruar manikisht, mjaft i dhunshëm dhe i pëlqente shumë amfetaminat dhe droga sportive në atë kohë”.

Wiggins arriti kulmin në vitin 2012 kur u bë fituesi i parë i turneut britanik, dhe vetëm disa ditë më vonë ai fitoi medaljen e artë olimpike në Londër.

Wiggo, siç e quanin, ishte i vetmi që fitoi medalje të artë olimpike në çiklizëm rrugor dhe në pistë. Ai e përfundoi karrierën e tij të suksesshme në fund të vitit 2016. Tani punon si komentues profesionist. /Telegrafi/

Exit mobile version